Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar lart koordinimin ndërmjet KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pas angazhimit të ekipeve të kërkim-shpëtimit të FSK-së në gjetjen e trupit të pajetë të Rrahim Latifit, i cili u mbyt ditë më parë në Liqenin e Ujmanit pas hedhjes nga ura.
Në një postim në Facebook, Ambasada britanike ka theksuar se operacioni është shembull i aftësive të avancuara të FSK-së dhe i bashkëpunimit të suksesshëm institucional.
“Operacioni është dëshmi e përsosmërisë së aftësive të kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe në përputhje me marrëveshjet afatgjata midis KFOR-it dhe FSK-së”, thuhet në reagim.
Ambasada ka falënderuar gjithashtu KFOR-in për mbështetjen gjatë gjithë operacionit, duke shprehur njëkohësisht solidaritet me familjen e të ndjerit.
“Ne e përgëzojmë KFOR-in për ofrimin e mbështetjes dhe sigurisë gjatë gjithë këtij operacioni dhe i shprehim ngushëllime familjes së burrit që fatkeqësisht humbi jetën”, thuhet më tej në postim.









