Aleksandër Lumezi ka refuzuar propozimin për përzgjedhjen në pozitën e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit.
Përmes një e-maili dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, Lumezi ka sqaruar se për shkak të angazhimeve si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, e ka të pamundur ushtrimin edhe të pozitës së zv/Kryeprokurorit të Shtetit.
Në e-mailin që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, thuhet se mbi këto arsye, Lumezi ka shprehur keqardhje për refuzim të propozimit të Qalajt, por duke vlerësuar propozimin e tij.
“Pas një shqyritmi të kujdesshëm të përgjegjësive dhe angazhimeve që kjo pozitë kërkon, kam arritur në përfundimin se në këtë moment nuk jam në gjendje të pranoj këtë detyrë, për shkak të angazhimeve të mia profesionale si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve të të gjitha niveleve. Për këto arsye, me keqardhje kam vendosur të refuzoj këtë propozim“, thuhet në letrën e Lumezit.








