Partnerët e Kosovës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar e Francën, kanë bërë të ditur pritjet e tyre që më 28 dhjetor Kosova të zhvillojë një proces zgjedhor fer dhe demokratik, si dhe të formojë sa më shpejt institucione të stabilizuara pas përfundimit të zgjedhjeve.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar rëndësinë e një qeverie stabile dhe të vendosur për vendin.
Ai ka nënvizuar se bashkëpunimi dhe kompromisi ndërmjet partive pas zgjedhjeve do të jenë thelbësore për tejkalimin e ngërçit politik dhe për arritjen e progresit.
“Mbi të gjitha, shpresoj që këto të jenë zgjedhjet e fundit për një kohë më të gjatë! Kosova ka nevojë për një qeveri stabile dhe të vendosur, e jo për një cikël të mëtejmë të pasigurisë zgjedhore. Mesazhi im për partitë politike është i qartë: Çfarëdo që të jetë rezultati, bashkëpunimi dhe kompromisi do të jenë esencialë për ta bërë të mundur formimin e shpejtë të institucioneve në vitin e ri. Kosova përballet me sfida dhe mundësi të rëndësishme, ndërsa ngërçi politik i tejzgjatur vetëm sa do ta vonojë përparimin. Një ton më i qetë dhe më i civilizuar midis palëve sesa ai që kemi dëgjuar në shkurt do të ndihmojë në krijimin e kushteve për dialog konstruktiv dhe stabilitet”, ka thënë Hargreaves.
Ai ka lavdëruar të kaluarën e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Kosova e ka një të kaluar mbresëlënëse me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shpresoj që procesi zgjedhor i 28 dhjetorit të jetë i qetë dhe transparent dhe të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet demokratike. Zgjedhjet janë gurthemel i demokracisë së Kosovës, ndërsa është jetike që të gjithë akterët – institucionet, partitë politike dhe qytetarët – ta luajnë rolin e tyre për ta garantuar kredibilitetin dhe drejtësinë e tyre. Udhëheqësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme kanë luajtur role jetike për garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore që janë mbajtur deri më tani, ndërsa unë dua t’i falënderoj për këtë”, ka shtuar ai.
Po ashtu, edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka ftuar partitë politike që të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ditë më parë, ai ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku i ka shprehur pritjet e Francës për një partner të besueshëm në stabilitetin rajonal.
“Shpreha shpresën time se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të çojnë në formimin e një qeverie. Ne kemi nevojë për një partner të plotë për të kontribuar në stabilitetin në rajon dhe për të zhvilluar marrëdhëniet tona dypalëshe. E informova Presidenten Osmani për dëshirën tonë për të mbështetur tranzicionin energjetik, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, përpjekjet e #Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të #Frankofonisë dhe shkëmbimet ekonomike midis dy vendeve tona”, ka shkruar Guerot në llogarinë e tij në “X”.








