Në Ditën e Pavarësisë, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, Kryetarja Albulena Haxhiu ka mirëpritur në takim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i shoqëruar nga ambasadori Petrit Malaj.
Presidenti Begaj e uroi Kryetaren Haxhiu për detyrën e saj të re, duke shprehur mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Kosovën në proceset e brendshme zhvillimore, si dhe në rrugëtimin drejt integrimit evropian.
Nga ana e saj, Kryetarja Haxhiu e falënderoi Presidentin për vizitën dhe urimet, duke theksuar mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, para dhe gjatë luftës, si dhe në fazat e shtetndërtimit dhe integrimit ndërkombëtar.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan edhe për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen të dyja vendet, si dhe për thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë mes dy shteteve shqiptare.










