Qindra mijëra bashkatdhetarë tanë jetojnë e punojnë në shtetet më të zhvilluara demokratike të botës, duke sjellë përvojë, dije dhe kapital njerëzor e financiar për vendin tonë.
Në pesë ciklet e fundit zgjedhore kemi parë një rritje të vazhdueshme të pjesëmarrjes së diasporës në proceset demokratike. Vota e mërgatës nuk është më simbolike; ajo është bërë faktor me peshë në përcaktimin e rezultateve zgjedhore dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës.
Megjithatë, përballë kësaj peshe elektorale, shtrohet një pyetje legjitime: a po e përcjell sistemi ynë politik këtë realitet të ri?
Mërgata kërkohet të votojë, mobilizohet në çdo proces zgjedhor dhe kontribon vazhdimisht në zhvillimin e Kosovës, por ende nuk gëzon një përfaqësim të drejtpërdrejtë e proporcional në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo krijon një paradoks demokratik që meriton debat serioz institucional.
A është e drejtë që diaspora të përbëjë mbi 10 për qind të elektoratit aktiv, ndërsa të mos ketë një mekanizëm të garantuar përfaqësimi politik?
Prandaj, ka ardhur koha që të gjitha subjektet politike të reflektojnë. Mërgata nuk duhet parë vetëm si numër votash apo si rezervuar elektoral që aktivizohet gjatë fushatave. Ajo duhet trajtuar si partner i barabartë në ndërtimin e shtetit dhe të ardhmes së Kosovës.
Në shumë demokraci evropiane ekzistojnë modele të përfaqësimit të diasporës përmes zonave të veçanta zgjedhore ose ulëseve të rezervuara parlamentare. Edhe Kosova duhet ta hapë këtë debat me seriozitet, maturi dhe vizion afatgjatë.
Mërgata nuk kërkon privilegje. Ajo kërkon respekt institucional. Nuk kërkon që vota e saj të vlejë më shumë se e qytetarëve në Kosovë, por që kontributi, vota dhe zëri i saj të reflektohen në mënyrë të drejtë në institucionet e vendit. Sepse demokracia nuk matet vetëm me numrin e votave, por edhe me përfaqësimin e atyre që votojnë.










