Finalja e madhe e Big Brother VIP Kosova 4 në Klan Arena ka mbledhur jo vetëm finalistët, por edhe ish-banorët që kanë qenë pjesë e këtij edicioni, duke i dhënë mbrëmjes një dimension edhe më emocional.
Të eliminuarit janë parë në ambientet e arenës, duke përshëndetur publikun dhe duke ndarë momente me njëri-tjetrin para nisjes së spektaklit përmbyllës.
Mes tyre ka spikatur veçanërisht prezenca e ish-banores shumë të përfolur, Alba Pollozhani, e cila gjatë qëndrimit të saj në shtëpi kishte trazuar ujërat me dinamikat dhe debatet e forta. Ajo ishte tërhequr vullnetarisht nga gara pasi kishte deklaruar se do të mbulohej, ndërsa sonte u shfaq pa mbulesë në natën finale të BBVK 4, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe rrjeteve sociale.
Në Klan Arena ishin të pranishëm edhe emra të tjerë të njohur nga ky sezon, përfshirë Dolce, Mentor Haziri, motrat Autorra dhe Suanita, Ardit Stafaj, Kushtrim Kelani si dhe banorë të tjerë që kanë lënë gjurmë gjatë rrugëtimit të tyre në shtëpinë më të famshme në vend.
Prania e tyre ka shtuar atmosferën festive të finales, ndërsa publiku pret me padurim shpalljen e fituesit të këtij edicioni.









