spot_img
Monday, December 8, 2025
spot_img

Alarm bërthamor në Çernobil, kupola e centralit gati të shpërthejë

Kupola gjigante e vendosur mbi centralin bërthamor të Çernobilit nuk është më në gjendje të mbajë të izoluar materialin radioaktiv pas një sulmi me dron në fillim të këtij viti, paralajmëron Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

Sipas deklaratës së publikuar të premten, struktura New Safe Confinement (NSC), kupola e madhe prej çeliku që mbulon reaktorin e shkatërruar, u “dëmtua rëndë” gjatë sulmit të 14 shkurtit dhe ka “humbur funksionet e saj kryesore të sigurisë, përfshirë aftësinë për të izoluar rrezatimin”.

Ukraina fajësoi Rusinë për sulmin, akuzë që Kremlini e mohoi. Sulmi ndezi një zjarr dhe dëmtoi kupolën mbrojtëse të strukturës, thotë IAEA.

Agjencia bërthamore rekomandon rinovim të thellë të kupolës kolosale, vendosur disa vite më parë për të lejuar operacionet e pastrimit dhe për të garantuar sigurinë e zonës, pothuajse 40 vjet pas katastrofës më të madhe bërthamore në histori.

“Janë kryer disa riparime të përkohshme në çati, por restaurimi i plotë dhe i shpejtë është thelbësor për të shmangur degradimin e mëtejshëm dhe për të garantuar sigurinë afatgjatë bërthamore”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Mariano Grossi. Ai shtoi se strukturat mbajtëse të NSC-së dhe sistemet e monitorimit nuk kanë pësuar dëmtime të përhershme.

IAEA, e cila ka një ekip të përhershëm në vendngjarje, thotë se do të vazhdojë të mbështesë çdo përpjekje për rikthimin e plotë të sigurisë bërthamore në Çernobil.

Çernobili është rikthyer disa herë në qendër të vëmendjes gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Në ditët e para të ofensivës së vitit 2022, trupat ruse morën kontrollin e centralit dhe mbajtën peng stafin, përpara se t’ia linin sërish Ukrainës një muaj më vonë.

Struktura NSC, e ndërtuar mes viteve 2010–2019, është hangari më i madh i lëvizshëm tokësor në botë. Ajo u krijua për të mbuluar reaktorin numër 4 dhe për të bllokuar rrezatimin për 100 vitet e ardhshme. Projekti kushtoi 2.1 miliardë euro, i financuar nga më shumë se 45 shtete dhe organizata ndërkombëtare.

Katastrofa bërthamore e 26 prillit 1986 përhapi rrezatim në Ukrainë, Bjellorusi, Rusi dhe shumë vende të tjera europiane. Mbi 30 persona humbën jetën në qytetin e afërt Pripjat, ndërsa mijëra të tjerë kanë vuajtur pasojat e rrezatimit ndër vite. Shkallët e kancerit dhe keqformimeve të lindjes mbeten ende të larta në zonat e prekura.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit