Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Greqi, ku një 41-vjeçar shqiptar akuzohet për përdhunim të përsëritur dhe abuzim seksual ndaj vajzës 9-vjeçare të partneres së tij.
Sipas dosjes hetimore, 41-vjeçari dyshohet se ka abuzuar seksualisht me të miturën gjatë verës së vitit 2023, kur nëna e saj, e cila ishte shtatzënë, ndodhej në Shqipëri dhe ia kishte lënë vajzën në kujdes. Hetimet tregojnë se abuzimet kanë vazhduar edhe pas kthimit të nënës, deri në pranverën e vitit 2025.
Prokuroria pretendon se i akuzuari e detyronte 9-vjeçaren të flinte në të njëjtin shtrat me të dhe, nën kërcënimin se do t’i vriste gjyshen dhe të afërm të tjerë të saj, e detyronte të duronte akte seksuale kundër vullnetit të saj.
Sipas autoriteteve greke, e mitura nuk i tregoi nënës për ngjarjet, pasi kishte frikë nga njerku i saj dhe nga kërcënimet që ai i kishte bërë ndaj familjarëve. Rasti u zbulua pas denoncimeve të personave të tretë.
41-vjeçari i ka mohuar të gjitha akuzat, duke pretenduar se ato janë të pavërteta. Çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën Penale të Larisës gjatë muajit tetor.








