Tashmë është promovuar gjerësisht se të konsumosh vakte të shëndetshme dhe të ushtrohesh fizikisht është çelësi i suksesit për një trup të shëndetshëm dhe një jetë të gjatë.
Vajtja në palestër dhe kryerja me rigorozitet e 10 mijë hapave në ditë është thuajse e pamundur për të gjithë, por një lajm i mirë vjen nga studiuesi Mark Hamer, profesor i sportit dhe mjekësisë sportive në University College London. Aktiviteti fizik gjatë jetës së përditshme është po aq efektiv sa kryerja e ushtrimeve fizike në palestër apo në aktivitete të ndryshme sportive.
Kush është i dhënë pas sportit, me siguri është i njohur me një term që po përdoret gjerësisht: VILPA (Aktivitet fizik i fuqishëm dhe me ndërprerje i stilit të jetës). Me fjalë të tjera, VILPA është çdo veprim fizik gjatë ditës, i cili mund të përfshijë ngjitjen me shpejtësi të shkallëve, ecjen e shpejtë brenda në shtëpi apo jashtë saj, lojërat e ndryshme me kafshët shtëpiake, pastrimin intensiv, mbajtjen e peshave gjatë ditës e shumë aktivitete të tjera që njeriu mund të kryejë gjatë përditshmërisë së tij.
Në një studim të vitit 2022, duke përdorur të dhëna nga 25 mijë e 241 njerëz në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, Hamer dhe kolegët e tij zbuluan se këto shpërthime të vogla lëvizjeje lidhen me përfitime shëndetësore. Shkencëtarët vunë re se, edhe pse njerëzit nuk kryenin specifikisht aktivitete sportive, ata realizonin lëvizje të konsiderueshme të cilat u sillnin shumë përfitime në shëndet.
Hamer dhe shkencëtarë në Universitetin e Sidneit zbuluan se vetëm tre ose katër seanca një minutëshe të VILPA-s çdo ditë ishin të mjaftueshme për të siguruar një ulje prej 40% të rrezikut të vdekjes së parakohshme nga të gjitha shkaqet dhe një ulje prej 49% të rrezikut të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, krahasuar me njerëzit që bënin pak lëvizje gjatë ditës.
Sipas Aleancës NCD, një organizatë që synon të adresojë rritjen e vazhdueshme të sëmundjeve jo-ngjitëse ose kronike në të gjithë botën, deri në pesë milionë vdekje në vit mund të shmangeshin nëse më shumë njerëz do të ishin mjaftueshëm aktivë. “Globalisht, stilet tona të jetesës po bëhen shumë më sedentare”, thotë Katie Dain, drejtoreshë ekzekutive e Aleancës NCD. “Thënë më konkretisht, shumë prej nesh po ulen në zyrë, ndërsa shumë nga qytetet tona janë më të projektuara për makina sesa për njerëz”, shprehet ajo.
Si rezultat, kërkuesit janë përpjekur t’i bëjnë objektivat e ushtrimeve më pak frikësuese. Edhe pse shumica e njerëzve janë të njohur me 10 mijë hapa në ditë, gjetjet e reja shkencore po tregojnë se mund të arrihen shumë përfitime shëndetësore edhe me më pak sasi hapash në ditë.








