Një aksident i rëndë zinxhiror ka ndodhur të premten në mëngjes në autostradën A1 në Zvicër, në segmentin mes Cyrihut dhe Winterthurit, në drejtim të St. Gallenit.
Në aksidentin masiv, që dyshohet se u shkaktua nga ngrica në rrugë, janë përfshirë gjithsej 37 automjete: 23 vetura, gjashtë furgonë dhe tetë kamionë.
Dhjetë persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar në spital. Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, gjashtë prej tyre kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa katër të tjerë lëndime të mesme.
Pamjet e realizuara nga droni kanë sjellë një pasqyrë të qartë të përmasave të aksidentit, ku shihen dhjetëra automjete të përplasura dhe të grumbulluara njëra mbi tjetrën. Disa prej tyre kanë mbetur të bllokuara mes kamionëve dhe veturave të tjera.


Për shkak të aksidentit, autostrada A1 është mbyllur plotësisht në drejtim të St. Gallenit, në segmentin mes Effretikonit dhe Winterthur-Töss.

Në vendin e ngjarjes kanë nisur punimet për largimin e automjeteve të aksidentuara, por për shkak të numrit të madh të tyre dhe pozitave në të cilat kanë mbetur të bllokuara, operacioni pritet të zgjasë disa orë.
Policia u ka bërë thirrje shoferëve që ta shmangin këtë zonë, ndërsa ata që kanë mbetur të bllokuar pas aksidentit janë udhëzuar të kthehen me automjetet e tyre.
Autostrada pritet të mbetet e mbyllur deri më vonë gjatë pasdites.









