Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën e Prushit, në periferi të Tiranës.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet i drejtuar nga shtetasi me iniciale F. Gj., rreth 23 vjeç, është përplasur me një motor në të cilin ndodheshin dy persona. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën drejtuesi i motorit, shtetasi B. T., rreth 40 vjeç, ndërsa pasagjerja, shtetasja A. Gj., 22 vjeçe, është plagosur dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga Policia në Komisariatin përkatës, ku po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.








