Muhamedin Kullashi, akademik dhe profesor i filozofisë, ka shkruar një artikull të publikuar në Koha në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga ana e kryeministrit Albin Kurti, dhe ndërkombëtarëve.
Sipas Kullashit, Qeveria Kurti ka thelluar ndasinë mes Kosovës dhe shteteve aleate.
Tutje, Kullashi ka përmendur një fakt, duke treguar se Serbia ka arritur disa marrëveshje me vendet perëndimore.
“Qeveria Kurti, me veprimet e veta jopolitike, e ka thelluar ndasinë dhe animozitetin midis institucioneve të Kosovës dhe shteteve aleate në radhë të parë me SHBA-në dhe me ato të Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, Serbia së voni ka arritur të lidhë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrëveshje për bashkëpunim strategjik shumëvjeçar në fushën e energjisë. Ajo njëherazi ka lidhur marrëveshje me Gjermaninë për shfrytëzimin e litiumit, si dhe me Francën për furnizim me avionë ushtarakë. Kurse Kosova është ndëshkuar, për shkak të papërgjegjësisë së qeverisë, tani e një vit, edhe me masa financiare nga BE-ja, duke penguar kësisoj reformat ekonomike e institucionale të Kosovës drejt BE-së” – ka shkruar Kullashi, ndër të tjera.











