Zbardhen te tjera detaje nga të shtënat me armë zjarri në një lokal në Beograd, ku u raportua për një të vdekur dhe pesë të plagosur.
Dyshohet se të shtënat e tmerrshme kanë ndodhur rreth orës 14:00. Sipas dëshmitarëve okularë, një person i panjohur doli nga një furgon i bardhë, iu afrua barit nga mbrapa, hyri në kafene dhe filloi të qëllonte. Dyshohet se u dëgjuan katër ose pesë të shtëna. Pasoi një rrëmujë e madhe. Nuk dihej se kush po shkonte ku dhe në cilin drejtim. U dëgjuan britma dhe vajtime, raportojnë mediat serbe.
“Gruaja që u vra dyshohet se ishte ulur në tavolinën e parë ose të dytë te dera e kafenesë. Sulmuesi iku me një furgon të bardhë, por nuk dihet ende nëse ka pasur ndonjë bashkëpunëtor që e ka drejtuar apo ka vepruar vetëm”, tha një dëshmitar.
“Po punonim dhe papritmas u dëgjua një e shtënë. Nuk ishte breshëri, por u dëgjuan disa të shtëna tek e tek. Disa dritare u thyen, ndoshta nga dyqanet dhe makinat”, tha një punëtor nga një servis aty pranë dhe shtoi se dy burra, dy gra u plagosën dhe një grua u vra.
Sipas informacioneve në dispozicion, VD (51), M. Lj. (42), AO (59) morën plagë nga arma e zjarrit. M. Lj. u qëllua në pjesën e poshtme të këmbës së majtë, ndërsa AO në kofshën e majtë. Gjithashtu u plagosën NN (33) dhe LD (29) , të cilët morën lëndime në zonën e këmbëve dhe shpinës.








