spot_img
Tuesday, December 16, 2025
spot_img

Adoleshentët si vrasës me pagesë: Si nisi gjithçka me Pablo Escobarin

Një adoleshent 14-vjeçar kolumbian, tregoi pak ditë më parë aftësinë e tij për të vrarë. Ai qëlloi disa herë mbi senatorin dhe kandidatin për zgjedhjet presidenciale Miguel Uribe Turbay, gjatë një tubimi që ai po zhvillonte në Bogota.

Politikani mbeti i plagosur rëndë, ndërsa atentatori u plagos në këmbë disa minuta më vonë dhe u arrit të arrestohej. “Më vjen keq, e bëra për para, për familjen time!”- u tha

ai agjentëve të policisë. Mosha e tij shumë e vogël, dhe premtimet e dëshpëruara për të zbuluar se kush e urdhëroi sulmin, shkaktuan shumë debate në vend.

Në fakt, nuk kishte ndonjë gjë të re. Më 22 mars 1990, një 15-vjeçar qëlloi dhe vrau kandidatin presidencial Bernardo Jaramillo. Disa vite më herët, më 30 prill 1984, një 18-vjeçar mori pjesë në vrasjen e Ministrit të Drejtësisë, Rodrigo Lara.

Tragjedia e fëmijëve vrasës me pagesë është përsëritur herë pas here në Kolumbi dhe për dekada të tëra. Ndërsa Uribe Turbay, po lufton ende për jetën, autoritetet kanë zbuluar disa detaje rreth adoleshentit që e qëlloi. Ai jetonte me tezen e tij në Villas de Alcalá, një lagje e dorës së dytë në pjesën perëndimore të Bogotës.

Nëna e tij ka vdekur, ndërsa babai është larguar nga Kolumbia. Sipas raporteve nga profesionistë që e njihnin kur mori pjesë në një program social qeveritar, ai kishte një personalitet “krejtësisht konfliktual”. Askush nuk dyshon se ai nuk është autori kryesor i sulmit.

Ndërsa, organizatorët përfituan nga nevojat e tij financiare, dhe më pas e braktisën në mëshirën e fatit. Autoritetet kanë frikë se këta kriminelë do të përpiqen ta vrasin për ta penguar të zbulojë informacione. Historiani Petrit Baquero, njëherazi ekspert mbi trafikun e drogës dhe bizneset kriminale, thekson se këto dinamika e kanë origjinën në qytetin Medellín në vitet 1980.

“Fëmijët kanë marrë pjesë gjithmonë në luftëra në Kolumbi, por historia e atyre që ne i njohim si vrasës me pagesë në një kontekst urban, nisi me Pablo Escobar, kreun e Kartelit Medellín. Ishte ai që i angazhoi si vrasës me pagesë bandat e të rinjve që ekzistonin në qytet”- thotë në një intervistë telefonike.

Adoleshentët, që deri në atë moment kishin kryer grabitje të herëpashershme, dhe ishin përleshur me anëtarë të bandave të tjera, nisën të merrnin pjesë në operacione më të mëdha kriminale. “Nga ai moment, bandat u bënë zyra të specializuara të krimit”- thekson Baquero.

Varfëria në komunat e Medellínit, dhe shtimi i trafikut të kokainës, ishin një kombinim shpërthyes. Deri atëherë, të rinjtë shihnin pak mundësi për të ecur përpara dhe për të mbështetur familjet e tyre.

“Escobar përfitoi nga dëshira e tyre e çmendur për të pasur diçka, për të qenë dikushi. Ata iu bashkuan këtyre organizatave për të marrë një motoçikletë, një palë atlete, një frigorifer dhe për t’ia dhënë nënës së tyre”- thekson historiani. Po ashtu, bandat u dhanë atyre një ndjenjë përkatësie dhe statusi.

Adoleshentët ndiheshin të fuqizuar duke përdorur armë, dhe në disa raste perceptoheshin si më tërheqës për gratë. Vrasja e Ministrit të Drejtësisë Rodrigo Lara në vitin 1984 shënoi një pikë kthese. Sepse ishte sulmi i parë i profilit të lartë i Kartelit Medellín dhe u interpretua si një deklaratë lufte kundër shtetit.

Autorët e krimit ishin Iván Darío Guisado dhe Byron de Jesús Velásquez. Ky i fundit, i njohur ne nofkën “Quesito”, sapo kishte mbushur 18 vjeç dhe drejtonte motoçikletën nga e cila qëlloi shoku i tij. Në dallim nga Guisado, ai i mbijetoi sulmit dhe u kap gjallë.

Mediat thanë se kishte pasur një rol dytësor, pra si “bashkëpunëtor” i vrasësit kryesor. Baquero thekson se Quesito kishte dikur njëfarë rëndësie në Kartelin Medellín. Ai punoi drejtpërdrejt për John Jairo Arias, i njohur ndryshe si “Pinina”, një kriminel që e filloi karrierën e tij në moshën 12 vjeç, dhe që u bë vrasësi kryesor i Escobarit.

Kjo i dha atij një status të lartë brenda kartelit, pavarësisht moshës së tij të re. “Ai ishte me përvojë, dhe dominonte edhe në burg”- shprehet historiani. Quesito u lirua nga burgu në vitin 1995 pasi qëndroi për pak më shumë se një dekadë. Ai shmangu mediat dhe mbajti një profil të ulët.

Tani, sipas Baquero, ai drejton kompani private transporti dhe organizon ture turistike rreth Medellín. Një rast tjetër, është ai i vrasësit me pagesë 15-vjeçar që qëlloi për vdekje politikanin e majtë Bernardo Jaramillo në vitin 1990. Në atë kohë, Escobar nuk ishte më i vetmi kriminel që punësonte adoleshentë nga lagjet e varfra të Medellín për të vrarë kundërshtarët e tij.

Paraushtarakët nga Forcat e Bashkuara të Vetëmbrojtjes së Kolumbisë (AUC) e stërvitën Andrés Arturo Gutiérrez, për të lëshuar një breshëri plumbash mbi kandidatin presidencial të partisë Unioni Patriotik. Pas krimit të kryer në aeroportin e Bogotës, adoleshenti u kap dhe u dërgua në një qendër paraburgimi për të mitur.

Jeta e Gutiérrez ngjalli interes në median e asaj kohe. Një histori e botuar nga gazeta “El Tiempo” më 25 mars 1990, tregon se si ai përfundoi vetëm vitin e dytë të shkollës së mesme dhe më pas filloi të punonte. Ishe shitës frutash, roje parkimi dhe punëtor në një fabrikë shkumësash.

“Ai ia jepte nënës së tij gjithçka që fitonte”- thuhet në artikull. Megjithatë, paratë nuk mjaftonin për të mbuluar qiranë dhe ushqimet, dhe ata duhej ta linin peng biçikletën. Sipas familjes së tij, një burrë iu afrua djalit disa javë para vrasjes së Jaramillos dhe “e ndryshoi”. Nëna e tij deklaroi se deri në atë moment, adoleshenti kishte qenë një i ri i pafajshëm.

“Një mëngjes, pak më shumë se një muaj më parë, ai pa një pëllumb në një pemë guava në oborr dhe e qëlloi. Kur pëllumbi ra në tokë, ai u shqetësua dhe vrapoi ta merrte. Kur e pa se kishte ngordhur, nisi të qante”- vijonte artikulli.

Adoleshenti kaloi një vit në një qendër paraburgimi për të mitur në Bogotá, ku përfundoi vitin e tretë të shkollës së mesme dhe ku u vlerësua për sjelljen e tij të mirë. Ai u lirua në nëntorin e vitit 1991. Disa javë më vonë, në janar, u gjet i vdekur pranë babait të tij në bagazhin e një makine të braktisur në Medellín.

Një prift që e njihte tha për gazetën “El Tiempo”, se që kur ishte liruar, djali kishte jetuar me frikë. “Ai e dinte rrezikun, ndaj ne po diskutonim sesi ta mbanim larg Medellínit. Fatkeqësisht, ky mbeti një projekt”- deklaroi ai.

Arlex López, një aktivist i njohur nga Komuna Verilindore e Medellín dhe koordinator i Korporatës Convivamos, thotë në një bisedë telefonike se shumë pak gjëra kanë ndryshuar në 3 dekadat e fundit. Edhe pse deri të shtunën e kaluar nuk kishte pasur më sulme ndaj kandidatëve presidencialë, vrasësit e mitur vazhduan të merrnin pjesë në krime më pak të dukshme.

López thotë se është e zakonshme që ata të marrin pjesë në zhvatjet, rrëmbimet dhe vrasjet e urdhëruara nga bandat e tyre, trashëgimtarët e Kartelit Medellín, paraushtarakët, milicitë urbane dhe aktorë të tjerë kriminalë. “Fëmijët dhe nipërit e mbesat e kriminelëve të viteve 1980 dhe 1990, e kanë vazhduar aktivitetin”- shpjegon ai.

Aktivisti thekson se pabarazitë sociale, që çuan në shtimin e fëmijëve vrasës me pagesë në vitet 1980-1990, vazhdojnë ende sot. Adoleshentët po kërkojnë mënyra për të ndihmuar familjet e tyre. “Mamaja ime më dha gjithçka. E pse të mos i jap edhe unë gjithçka?”- reflektojnë ata, edhe nëse kjo u kushton jetën.

Prandaj u bashkohen bandave, të cilat bëhen për ta një familje e re. Ata përpiqen t’i bëjnë përshtypje bosëve, të cilët i nderojnë si modele. Ata e shohin të qenit vrasës me pagesë si një mundësi për të treguar vlerën e tyre dhe për t’u ngritur në hierarki.

“A mund ta imagjinoni nëse ai do të ketë sukses me atentatin? Çfarë do të mendojë familja e tij mafioze? Ata do ta admirojnë. Këto janë teste irracionale, por fëmijët duan t’i kapërcejnë ato dhe të bëhen një lloj Vito Corleone. Nëse vdesin, të paktën bandat u premtojnë se do të kujdesen për familjet e tyre. Nëse dikush rrezikoi jetën e tij për organizatën, sakrifica vlerësohet”- thekson më tej López.

Ndërkohë, bosët e organizatave kriminale vazhdojnë të rekrutojnë fëmijë, sepse në aspektin gjyqësor, adoleshentët kanë përparësi kur kryejnë një krim, duke u ndëshkuar me dënime të reduktuara në qendrat e specializuara. Bosët i shohin vrasjet me pagesë, si një mënyrë që të rinjtë të rriten në botën kriminale, brenda logjikës mbizotëruese të vërtetimit të guximit dhe besnikërisë së tyre.

Por Max Yuri Gil, drejtor i Institutit të Studimeve Politike në Universitetin e Antiokias, nuk pajtohet me këtë pikëpamje. Ai beson se në realitet, bosët e krimit nuk kanë interes për të rinjtë. Për ta, nxitja kryesore është se adoleshentët janë “krah i lirë pune dhe lehtësisht të zëvendësueshëm.

“Atyre nuk u intereson nëse vriten, zhduken apo plagosen. I shohin si jetë të sakrifikueshme. Të rinjtë janë hallka e fundit e zinxhirit”- thotë ai. Ai thekson se të gjithë protagonistët e krimit të përfshirë në konflikte, kanë rekrutuar adoleshentë si vrasës me pagesë.

“Po ashtu, fëmijët pranojnë urdhra më lehtë, madje edhe ato më të tmerrshmet. Bosët u caktojnë atyre punët më të ndyra: aktet terroriste, apo edhe copëtimin e kufomave dhe prerjen e kokave”- përfundon Gil.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit