Protestat masive në Serbi, që nisën në fund të vitit 2024 pas një tragjedie në Novi Sad, kanë zbuluar thellësinë e pakënaqësive ndaj qeverisë së Aleksandar Vuçiqit.
Fillimisht të udhëhequra nga studentët, ato janë zgjeruar duke përfshirë opozitën dhe qytetarë të shumtë që kërkojnë transparencë, drejtësi dhe ndryshim rrënjësor politik.
Por, pas kësaj situate të tensionuar në Serbi, a do të mundohet Beogradi të zhvendosë vëmendjen drejt veriun të Kosovës?
Lidhur me këtë çështje, Adem Salihaj ka thënë se politika e Vuçiqit është “kush mbjell erë-korrë furtunë,” duke theksuar se në Serbi ekzistojnë dy rryma që luftojnë mes tyre.
“Kush mbjell erë-korr furtunë. Kjo është politika konstante dhe konseguente e Vuçiqit për gjatë kohë. Në Serbi po luftojnë dy rryma. Në fillim dukej sikur janë studentët, por tash janë forca dhe struktura tjera. Secila rrymë e akuzon tjetrën për tradhëti dhe shitje të interesave të Serbisë. Veçanërisht e akuzojnë Vuçiqin për shitje të Kosovës. Mendoj se Serbia pashmangshëm po shkon drejt anarkisë. Besoj se Vuçiqi i ka ditët e numëruara. Ka ende një opsion, që ta përdor ushtrinë, por as ajo nuk e shpëton. Nga ajo që kemi parë deri tash, rryma kundër Vuçiqit duket më radikale, më shoveniste”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Salihaj ka shpjeguar se pse gjatë kësaj kohe, Kosova nuk do të jetë nën presionin e Serbisë, por serbët e Kosovës do të jenë të ç’orientuar dhe të lënë pas dore.
“Në raport me Kosovën, varet shumë se çfarë qëndrimi do të ketë struktura që e fiton këtë betejë dhe si del Serbia nga kjo hallakamë.
Por, një periudhë, Serbia do të merret me veten, nuk do të ketë kohë që të merret as me ne, as me të tjerët.
Nuk shoh ndonjë ndikim të drejtpërdrejt në Kosovë, përveç që një periudhë nuk do të jemi nën kërcënimin dhe presionin e saj. Serbët e Kosovës një kohë do të jenë të ç’orientuar dhe të lënë pas dore nga Serbia.
Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë periudhë për konsolidim politik dhe për një betejë për të krijuar epërsi ndaj Serbisë në aspektin ndërkombëtar. Për fat të keq, edhe ne jemi të vetëaksidentuar politikisht dhe nuk jemi të aftë ta shfrytëzojmë këtë situatë shumë të favorshme për ne”, ka përfunduar Salihaj.









