Gjatë muajve të kaluar, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke u mbështetur në Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme, kishte vendosur që në baza ditore të caktojë çmimin maksimal të shitjes së derivateve të naftës. Kjo kishte ardhur si pasojë e abuzimit me çmime nga disa kompani që merren me shitjen e derivateve.
Abuzime të tilla, që ndikonin drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve, u bënë pikërisht në kohën kur çmimet ishin rritur në nivelin më të lartë, si pasojë e luftës në Iran dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.
Mirëpo, disa kompani nuk kishin zbatuar vendimin e MINT-it, sidomos në shitjen e naftës.
Veriu.info ka siguruar një procesverbal të inspektimit të Inspektoratit në fjalë, të datës 6 mars 2026, në të cilin është konstatuar se kompania “Delta Group” Sh.P.K. e Vesel Jusajt ka tejkaluar marzhën tregtare maksimale të lejuar për shitje me pakicë për produktin dizel – benzinë.
Ndaj më 24 mars 2026, Inspektoriati ka bërë kërkesë për fillim të procedurës kundërvajtëse ndaj “Delta Group” Sh.P.K. në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Divizioni për Kundërvajtje, Dega Lipjan.
Kush është “Delta Group” Sh.P.K.?
Kompania “Delta Group” Sh.P.K. është e themeluar në vitin 2000 me akjtivitet kryesor tregtinë me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuar, duke pasur rreth 40 njësi anembanë Kosovës.
Aksionar kryesor është Vesel Jusaj me 55% të aksioneve, Shkelqim Jusaj ka 40% të aksioneve dhe 5% të aksioneve i posedon Vase Jusaj.
“Delta Group” Sh.P.K ishte përfshirë në një skandal në vitin 2024, pasi që një punëtor kishte humbur jetën në pikën e kësaj kompanie në Pejë pas shpërthimit të një bombole gazi.
Pas këtij rasti tragjik ishte arrestuar Vesel Jusaj në dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.








