Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka bërë të ditur se temë kryesore e diskutimit ishin zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën në Kuvend.
“Diskutuam mbi zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën e krijuar në Kuvend; dhe qëndrimin tonë të palëkundur si Lidhje Demokratike e Kosovës ndaj kësaj çështjeje.”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai i ka thënë ambasadorit Hargreaves se vendimi i Gjykatës përbën një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe funksionimin kushtetues të shtetit.
“Theksova para ambasadorit Hargreaves se vendimi i sotëm i Gjykatës përbën një fitore të madhe për demokracinë dhe për Republikën tonë. Ky vendim konfirmon plotësisht të drejtën e kërkesës dhe lëndës që ne e kemi dorëzuar si LDK – dhe përforcon qëndrimin tonë të qartë, të mbajtur që nga dita e parë: se demokracia nuk mund të shtypet, e Kushtetuta nuk mund të shkelet.”, ka shtuar ai.
“Në fund të takimit, shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës.”, ka shkruar tutje Abdixhiku.







