Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj kritikave publike të ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe Valon Murtezajt, duke i akuzuar ata se po përdorin fjalor të huazuar nga partitë e tjera për të sulmuar LDK-në.
Në një deklarim për media, Abdixhiku theksoi se nuk ka ndërmend të sulmojë asnjë anëtar të partisë dhe se çështjet e brendshme duhet të diskutohen në organet e brendshme të LDK-së.
“Nuk do të dëgjoni sulme nga unë ndaj njerëzve të LDK-së. Ata që e sulmojnë LDK-në me terminologji të partive të tjera, nuk i bëjnë nder as vetes”, tha ai, duke shtuar se më 15 maj, propozimi për programin e ri ishte votuar unanimisht nga kryesia dhe deputetët e partisë.
Abdixhiku nënvizoi se LDK është mjaft demokratike dhe e hapur për mendime të ndryshme, por kritikoi ata që, sipas tij, anashkalojnë problemet e qeverisjes aktuale për të sulmuar partinë nga brenda.
“Ka folur elektorati shumë qartë”, përfundoi ai, duke theksuar nevojën për unitet dhe përgjegjësi brenda radhëve të LDK-së.








