Kryetari i LDK-së premton paga më të larta, arsim cilësor, siguri me dinjitet dhe investime madhore në zhvillim ekonomik e social.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar 10 zotimet kryesore të LDK-së, duke theksuar se partia që ai udhëheq ka program të qartë, plane konkrete dhe përgjegjësi ndaj çdo qytetari të Kosovës.
“Zotime të qarta, plane konkrete dhe përgjegjësi ndaj secilit qytetar. LDK ka program. Ka ekip. Ka vullnet. Le të zgjedhim shpresën; për familjet, për të rinjtë, për të ardhmen”, ka deklaruar Abdixhiku.
Në kuadër të këtyre zotimeve, LDK premton pagë prej 1,000 euro për mësuesit, duke e cilësuar arsimin si investim kombëtar, si dhe pagë 900 euro për policët, ushtarët dhe zjarrfikësit, në funksion të sigurisë me dinjitet.
Programi parasheh edhe mbështetje për familjet e reja, me 2,400 euro për çdo të porsalindur, përmes pagesës mujore prej 200 eurosh për 12 muaj. Po ashtu, LDK zotohen për reformë të drejtë të sistemit të pagave në sektorin publik, me koeficient 150 për orë dhe përfshirjen e rreth 80 mijë punëtorëve publikë.
Ndër zotimet e tjera përfshihet pagesë për gjashtë muaj për të sapodiplomuarit, me synimin e punësimit të garantuar pas diplomimit, si dhe rritja e pensioneve në 300 euro, për një pleqëri me dinjitet.
LDK premton gjithashtu investime të mëdha në fëmijë, përmes mësimit tërëditor dhe ndërtimit të 80 çerdheve, me një buxhet prej 1 miliard eurosh, si dhe trajnim në fushën e teknologjisë informative për 40 mijë të rinj.
Në infrastrukturë, Abdixhiku ka paralajmëruar përfundimin e rrugëve strategjike kombëtare, përfshirë Unazën e Kryeqytetit, Autostradën e Gjilanit dhe magjistralet e Pejës, Mitrovicës, Podujevës dhe Gjakovës.
Ndër projektet madhore përmenden ndërtimi i një centrali me gaz, spitali i ri, stadiumi kombëtar dhe zhvillimi i Brezovicës, me synim sigurimin energjetik, shëndetësi moderne dhe zhvillim turistik kombëtar.
“10 zotimet tona për Kosovën. LDK – program, ekip, vullnet. Kosovë, zgjidh shpresën”, ka përfunduar Abdixhiku.








