Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku ka vazhduar aktivitetin “Hajde Folim” edhe në Ferizaj, ku u takua me qytetarë në sheshin e qytetit për diskutime të hapura mbi çështjet që preokupojnë vendin.
Abdixhiku tha se “Hajde Folim” mbetet platforma e vetme politike në Kosovë që bazohet në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, pa skenografi dhe pa distancë politike.
“Sot jemi ballë për ballë me qytetarët, me pyetje, debat dhe bashkëbisedim të hapur për jetën e njerëzve, brengat e tyre dhe rrugën që duhet ta bëjmë përpara”, deklaroi ai.
Sipas tij, edhe në Ferizaj qytetarët shfaqën interesim të madh për diskutim, duke paraqitur kritika, ide dhe kërkesa konkrete për të ardhmen e Kosovës.
“Në Ferizaj, si gjithandej në Kosovë, gjetëm qytetarë të interesuar, kritikë, kërkues e plot shpresë. Sepse kur njerëzit dëgjohen, politika fillon të ketë kuptim”, u shpreh Abdixhiku.









