Kandidati i LDK-së për kryeministër kritikon Qeverinë Kurti për, siç thotë ai, pesë vjet shou dhe mungesë pune konkrete.
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i marrin 100 eurot e shpërndara nga qeveria në detyrë, duke thënë se është më mirë t’i përfitojnë ata sesa të përfundojnë, sipas tij, te Vuk Hamoviqi.
Abdixhiku e arsyetoi këtë deklaratë, duke theksuar se qytetarët duhet t’i marrin ndihmesat e fundvitit dhe të mos ndihen fajtorë për këtë.
“Këto ndihmesa që iu vinë në fundvit, le t’i marrin paratë, se ma mirë është me i marr ata paret sesa me i harxhu te Vuk Hamoviqi. Këta e kemi pa ku i çojnë paret, dhe të dielën do e japin verdiktin final”, u shpreh Abdixhiku.
Ai, po ashtu, ka kritikuar ashpër qeverinë në detyrë për mungesë pune gjatë pesë viteve të fundit, duke vlerësuar se qeverisja e Albin Kurtit është karakterizuar më shumë nga shou politik sesa nga rezultate konkrete.
“Nëse populli i Kosovës vlerëson që politika e tillë e përkthyer në Dimal Bashë, Mefail, Ardianë, Albin, është politika që i duhet Kosovës… duhet me e kuptu një gjë bazike, në politikë nuk janë për me i shërby disa figurave politike e me pas jetën Big Brother, sepse s’ka punë ka shou, pesë vjet shou”, tha i pari i LDK-së.








