Nën emrin e koduar “Deklarata e Fitores” , Irani nisi një sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Katar, ndërsa alarmi u dha në Irak, Kuvajt, Bahrein dhe Arabinë Saudite, të cilat mbyllën përkohësisht hapësirën e tyre ajrore, megjithëse nuk pati sulm në territorin e tyre.
Shpërthime u dëgjuan në Doha, por nuk u raportuan të lënduar apo shpërthime ndërsa raketat u interceptuan. Duket se SHBA-të ishin të përgatitura, me Donald Trump në një mesazh të hënën në mbrëmje që e përshkroi sulmin e Iranit si “të dobët” dhe iu kundërpërgjigj në mënyrë efektive.
Në fakt, në një fjalim të paprecedentë, ai falënderoi Iranin që e kishte njoftuar për sulmin dhe kështu kishte shmangur humbjen e jetëve!
Duket se në Lindjen e Mesme mund të fryjë një erë e re, ku palët mund të rikthehen te bisedimet dhe negociatat dhe t’i jepet fund luftës.
Më parë, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan në të gjithë Lindjen e Mesme, ndërsa avionët luftarakë u ngritën në Arabinë Saudite me misionin e kapjes së raketave.
Irani e quajti sulmin që synonte bazat amerikane një “deklaratë fitoreje”. Sulmi u konfirmua edhe nga Garda Revolucionare, ndërsa në deklaratën e tyre thuhej ndër të tjera se “epoka e sulmeve dhe arratisjeve ka mbaruar”.
“Vendosmëria e forcave tona të armatosura të fuqishme dhe popullore është e tillë që çdo përsëritje e veprimeve armiqësore do të përshpejtojë shembjen e strukturave ushtarake amerikane në rajon, do të çojë në tërheqjen e tyre të turpshme nga Azia Perëndimore dhe do të kontribuojë në realizimin e aspiratës së përbashkët të Ummetit Islamik dhe popujve që kërkojnë liri në të gjithë botën: zhdukjen e kancerit të regjimit sionist”, vijonte deklarata.
Zyrtari më i lartë i sigurisë i Iranit tha në një deklaratë se forcat e tij të armatosura kishin përdorur të njëjtin numër bombash si SHBA-të në sulmin ndaj objekteve bërthamore iraniane. Ai tha gjithashtu se baza amerikane ndodhej larg objekteve urbane dhe zonave të banuara në Katar. Ai shtoi se veprimi nuk përbënte kërcënim për Katarin fqinj “miq dhe vëllazëror”.
Deklarata e Trump
Presidenti Donald Trump në një deklaratë tha se Irani i është përgjigjur zyrtarisht shkatërrimit të objekteve të tij bërthamore nga ana jonë me një kundërpërgjigje shumë të dobët, ashtu siç e kishim parashikuar, dhe që e kemi neutralizuar me shumë efektivitet.
“Janë lëshuar 14 raketa, 13 prej tyre janë rrëzuar, ndërsa 1 është “lënë e lirë” pasi po shkonte në një drejtim që nuk përbënte kërcënim.
Jam i kënaqur të raportoj se asnjë amerikan nuk është lënduar dhe dëmet kanë qenë thuajse të papërfillshme.
Më e rëndësishmja, ata duket se e kanë “shkarkuar” gjithë mllefin e tyre, dhe shpresojmë që nuk do të ketë më urrejtje në të ardhmen.
Dua të falënderoj Iranin për paralajmërimin e hershëm, i cili e bëri të mundur që të mos humbiste asnjë jetë dhe askush të mos lëndohej. Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe unë do të inkurajoj me gjithë zemër që edhe Izraeli të bëjë të njëjtën gjë”, tha Trump.
Çfarë ndodhi
Irani ndërmori këtë të hënë hapin e parë hakmarrës ndaj Shteteve të Bashkuara me operacionin e pagëzuar “Shpallja e Fitores”, duke sulmuar me raketa balistike bazat amerikane në Lindjen e Mesme, konkretisht në Katar, Irak dhe Siri. Kjo përgjigje e Iranit vjen pas bombadimeve me bomba 14-tonëshe që bombarduesit amerikanë B2 hodhën në centralet bërthamore iraniane, një ditë më parë.
Sipas mediave të huaja, numri i raketave të lëshuara nga Irani është 10, nga të cilat thuhet se 9 u shkatërruan në ajër.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit deklaroi se lëshoi një numër raketash të barabartë me atë të bombave të hedhura nga Shtetet e Bashkuara, në impiantet e saj bërthamore.
Shteti i Katarit ka dënuar sulmin iranian ndaj bazës amerikane që ndodhej në territorin e saj, duke bërë me dije se nuk pati viktima apo të plagosur, por thekson se rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur në formë proporcionale.






