TikTok-u është kthyer në një burim të madh rekomandimesh për bukurinë, por krijimi i një rutine për kujdesin e lëkurës bazuar në produktet që promovohen në rrjetet sociale mund të sjellë edhe rreziqe, sugjeron një studim i ri vëzhgues.
Hulumtimi, i prezantuar në Kongresin 2026 të Akademisë Evropiane të Dermatologjisë dhe Venerologjisë (EADV), ndoqi për 12 muaj 94 pacientë dermatologjikë, të cilët kishin shfaqur probleme të reja ose përkeqësim të gjendjes së lëkurës pas përdorimit të produkteve kozmetike ose të kujdesit për lëkurën të promovuara në rrjetet sociale.
Problemi më i shpeshtë ishte dermatiti irritues i kontaktit, një inflamacion joalergjik i lëkurës, i cili u shfaq te 42 për qind e pacientëve. Gati 30 për qind zhvilluan akne ose përjetuan përkeqësim të tyre, ndërsa 12 për qind patën shpërthime të rozaceas ose dermatit të ngjashëm me rozacean, raporton Allure.
Më shumë se 10 për qind e pacientëve zhvilluan hiperpigmentim pas inflamacionit të lëkurës, ndërsa 7 për qind pësuan djegie sipërfaqësore kimike.
Rreth 35 për qind e pacientëve kishin përdorur produkte eksfoliuese kimike që përmbanin acide alfa-hidroksi (AHA) ose beta-hidroksi (BHA). Produktet pa recetë me retinoide u lidhën me inflamacion të lëkurës në 27 për qind të rasteve, serumet me përqendrim të lartë të vitaminës C në 14 për qind, ndërsa produktet me niacinamide në 11 për qind të rasteve.
Shumica e pacientëve, rreth 63 për qind, përdornin më shumë se tre përbërës aktivë në rutinën e tyre të kujdesit për lëkurën. Ndërkohë, 14 për qind përdornin rutina komplekse me disa hapa, ku kombinonin njëkohësisht produkte të ndryshme me përbërës aktivë që mund të irritojnë lëkurën.
Gati gjysma e pacientëve thanë se rutina e tyre e kujdesit për lëkurën ishte krijuar tërësisht nga frymëzimi që kishin marrë në rrjetet sociale.
Dermatologët paralajmërojnë se problemi nuk qëndron domosdoshmërisht te vetë produktet, por te mënyra se si kombinohen dhe përdoren ato.
Një studim tjetër i prezantuar në të njëjtin kongres analizoi 38 video virale në TikTok për kujdesin korean të lëkurës dhe trendin “glass skin”. Rreth 95 për qind e videove përmbanin të paktën një pretendim potencialisht mashtrues. Shumica nuk merrnin parasysh llojet e ndryshme të lëkurës dhe shumë prej tyre promovonin kombinimin e disa përbërësve aktivë pa paralajmërime të mjaftueshme për sigurinë.
Ekspertët theksojnë se rrjetet sociale mund të jenë burim i dobishëm informacioni për produktet e bukurisë, por këshillat duhet të kontrollohen me burime profesionale dhe, kur është e nevojshme, me dermatologun.
Ata rekomandojnë që produktet e reja të mos futen të gjitha njëherësh në rutinën e përditshme. Në vend të kësaj, këshillohet të provohet një produkt i ri në një kohë dhe të vëzhgohet nëse shfaqen shenja irritimi.
Dermatologët gjithashtu paralajmërojnë për kombinimin e shumë përbërësve aktivë, veçanërisht acideve eksfoliuese, retinoideve, vitaminës C dhe niacinamides, pasi përdorimi i tyre së bashku mund ta ngarkojë dhe irritojë barrierën mbrojtëse të lëkurës.
Mesazhi i ekspertëve është i thjeshtë: fakti që një rutinë bëhet virale në TikTok nuk do të thotë domosdoshmërisht se është e sigurt ose e përshtatshme për të gjithë.








