Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se nuk ka nevojë për diskutime “nëse Kosova ka nevojë për President apo jo”.
Ajo shkroi se LVV-ja nuk po do zgjidhje, por nënshtrim.
“Diskutim për zgjedhjen e Presidentit, thanë. Sinqerisht, a po bëni hajgare? Nuk kemi nevojë të diskutojmë nëse Kosova ka nevojë për President apo jo. Kjo është çështje kushtetuese dhe shtetërore, jo temë improvizimi. PDK ka qenë e qartë që nga dita e parë dhe ka ofruar opsione konkrete për zgjidhje”, shkroi ajo në një postim në Facebook, duke iu referuar seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga LVV-ja për “diskutim” për Presidentin.
“Në anën tjetër, LVV e ka trajtuar këtë proces me joseriozitet të plotë. Nga vizitat turistike nëpër Spanjë e Angli, deri te qasja tallëse dhe përçmuese ndaj këtij procesi, çdo veprim i tyre dëshmon mungesë vullneti për bashkëpunim. Kjo nuk është mënyrë për të ndërtuar institucione. Nuk duan zgjidhje, por duan nënshtrim. Nuk kërkojnë konsensus, por prodhojnë krizë”, shtoi ajo.









