Në aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë përmendur edhe emrat e Lahi Brahimajt, Fatmir Limajt, Sylejman Selimit, Rrustem Mustafës, Latif Gashit, Shukri Bujës dhe Sabit Gecit.
Këta persona nuk kanë qenë pjesë e procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe, rrjedhimisht, nuk kanë pasur mundësi të mbroheshin në atë proces.
Për përmendjen e emrave të tyre në aktgjykim ka folur avokati amerikan i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre-Richard Prosper.
“Nuk ka qenë e duhur që këta persona, të cilët nuk kishin mundësi që të mbronin integritetin e vet dhe të emrit të tyre. Pra, cili ka qenë motivi? Nuk e di se cili ka qenë motivi, por prapë i kthehem pikës time: kjo ka qenë e paracaktuar, ka qenë një situatë ku qartësisht ekziston një agjendë që nuk kishte të bënte me sundimin e ligjit dhe nuk kishte të bënte me drejtësinë. Për shikuesit dhe dëgjuesit tuaj, ata duhet ta kuptojnë se drejtësia është tradhtuar në këtë proces”, ka deklaruar Prosper.
I pyetur nëse mund të priten aktakuza të reja nga Dhomat e Specializuara, Prosper tha se një mundësi e tillë lidhet me përmendjen e këtyre individëve në aktgjykim, por se nuk mund të thotë nëse kjo do të ndodhë.
“E dini si, ky është implikimi. Nëse do të ndodhë apo jo, nuk e di. Ky është problemi i emërtimit të këtyre individëve. Kryetari i panelit ka thënë se këta kanë qenë përgjegjës për të gjitha këto abuzime dhe, duke thënë se janë përgjegjës publikisht, duke i përmendur me emër, pastaj thotë se ata prezumohen si të pafajshëm”, është shprehur ai.








