Një mjek sportiv ka sqaruar një të vërtetë që shumë njerëz nuk duan ta dëgjojnë: ushtrimet fizike janë shumë të mira për shëndetin, por zakonisht nuk sjellin rënie të ndjeshme në peshë.
“Unë ushtrohem pothuajse çdo ditë, por pesha ime nuk ndryshon. Atëherë, cili është qëllimi?”, ka shkruar në Washington Post, mjeku Jordan D.Metzl.
Sipas tij, ushtrimet fizike kanë përfitime të mëdha për trupin dhe mendjen: ulin rrezikun për sëmundje të zemrës, përmirësojnë sheqerin në gjak, forcojnë eshtrat, ruajnë kujtesën dhe reduktojnë rrezikun e depresionit, kancerit dhe vdekjes së parakohshme.
Por një fushë ku ato shpesh “dështojnë” është humbja e peshës.
Ai tregon rastin e një pacienteje në të 50-at, e cila ecte rregullisht, bënte ushtrime dhe ushqehej shëndetshëm, por pesha e saj pothuajse nuk ndryshonte. Pyetja e saj ishte e drejtpërdrejtë:
“Çfarë kuptimi ka ushtrimi nëse vlera në peshore nuk lëviz?”
Problemi, sipas mjekut, është se njerëzit janë mësuar të fokusohen te numri në peshore, ndërkohë që shëndeti i përgjithshëm po përmirësohet ndjeshëm.
Studime të mëdha tregojnë se ushtrimet pa ndryshim diete sjellin vetëm humbje minimale peshe, shpesh vetëm disa kilogramë në disa muaj. Arsyeja është se trupi “kompenson” duke rritur oreksin ose duke kursyer energji në funksione të tjera.
Një studim i vitit 2024 ka treguar se personat me mbipeshë që ushtronin rregullisht përmirësuan formën fizike dhe metabolizmin, por humbën shumë pak peshë.
Me kalimin e moshës, situata bëhet edhe më e vështirë, pasi metabolizmi ngadalësohet dhe humbet masa muskulore. Për të rënë nga pesha, do të duheshin ushtrime shumë intensive, shpesh të parealizueshme.
Por kjo nuk do të thotë se ushtrimet janë të kota.
“Ushtrimet funksionojnë shkëlqyeshëm, thjesht ne po i kërkojmë të bëjnë punën e gabuar”, thekson mjeku.
Edhe pa rënie në peshë, aktiviteti fizik përmirëson ndjeshëm shëndetin metabolik, ul yndyrën e rrezikshme rreth organeve dhe redukton rrezikun për diabet dhe sëmundje të zemrës.
Madje, edhe lëvizjet e shkurtra gjatë ditës, kanë përfitime të mëdha.
Sipas mjekut, një mesazh i fortë lidhet edhe me ilaçet moderne për dobësim, si GLP-1.
Ani pse ato ndihmojnë në humbjen e peshës, humbja e shpejtë mund të shoqërohet me humbje të muskujve, gjë që dëmton forcën, lëvizshmërinë dhe shëndetin afatgjatë.
“Më shumë do të preferoja një person pak mbipeshë, por aktiv fizikisht, sesa një person të dobët dhe pasiv”, ka thënë ai.










