Sipas rrëfimit që na jep Homeri, Lufta e Trojës ishte rezultat i ndërhyrjes së 3 perëndeshave – Herës, Athinës dhe Afërditës – në punët e njerëzve, pasi iu afruan Paridit të Trojës dhe i kërkuan atij të zgjidhte një debat midis tyre.
Pasi ai e quajti Afërditën “më të bukurën”, perëndesha i dha atij dashurinë e gruas më të bukur në botë, Helenës. Megjithatë, kishte një problem të madh: Helena ishte tashmë e martuar me mbretin Menela të Spartës.
Pasi Paridi iku fshehurazi me gruan e Menelaut, ky i fundit mblodhi gjithë ushtritë e qytet-shteteve të Greqisë së lashtë për të rrethuar Trojën dhe për të kërkuar kthimin e Helenës. Është një rrëfim epik që na njeh me heronj të ndryshëm, perëndi greke dhe tragjedi.
Por, për shkak se rrëfimi i Homerit për luftën është një nga më të njohurit – dhe që përmban padyshim edhe elementë të trilluar – e vërteta mbi atë që ka ngjarë vërtet gjatë Luftës së Trojës, ka humbur në kohë për shekuj me radhë. Megjithatë, zbulimet më të fundit mund të ofrojnë disa njohuri të reja.
A ishte Troja një qytet i vërtetë, dhe nëse po ku gjendej?
Po, Troja ishte një qytet i vërtetë. Gërmimet arkeologjike në Hisarlik në Turqinë Veriperëndimore, duke nisur nga ato të biznesmenit gjerman Hajrih Shlieman në vitet 1870, kanë zbuluar shtresa të shumta të vendbanimeve të lashta që shtrihen në mijëra vjet.
Gërmimet kanë zbuluar se qyteti ka qenë vazhdimisht i banuar për më shumë se 3.000 vjet, dhe ra viktimë e një zjarri brutal rreth kohës kur supozohet se ka ndodhur Lufta e Trojës.
Rrënojat tregojnë prova të një qyteti të rëndësishëm të Epokës së Bronzit të Vonë, që përputhet me periudhën kohore dhe vendndodhjen e përgjithshme të përshkruar në literaturën e lashtë greke. Megjithatë, ndërsa qyteti ekzistonte, shumë detaje nga rrëfenjat epike të Homerit janë me shumë gjasa zbukurime mitologjike sesa fakte historike.
Vendndodhja e tij në Hisarlik në Turqinë, pranë ngushticës së Dardaneleve, ishte me një rëndësi strategjike. Qyteti ndodhej në një kodër me pamje nga fusha midis Detit Egje dhe hyrjes në Helespont (Dardanelet e sotme).
Ky pozicion i jepte Trojës kontrollin mbi rrugët e shumta tregtare detare përgjatë Detit Mesdhe dhe Detit të Zi. Qyteti ka qenë rreth 6.5 km larg vijës bregdetare aktuale, megjithëse gjeografia e saktë e zonës ka ndryshuar gjatë mijëvjeçarëve.
A ishte e vërtetë Lufta e Trojës?
Kjo mbetet një çështje ende e debatuar midis historianëve dhe arkeologëve. Troja ekzistonte dhe rrënojat tregojnë prova të shkatërrimit brutal rreth vitit 1180 Para Erës Sonë, gjë që përputhet përafërsisht me datimin tradicional të Luftës së Trojës.
Megjithatë, nuk ka prova përfundimtare arkeologjike, që vërtetojnë se ka ndodhur një konflikt specifik i përshkruar nga Homeri, dhe veçanërisht në një shkallë kaq masive sa përmendet në legjendat e lashta.
Edhe pse atje ka të ngjarë të ketë ndodhur një konflikt më i vogël, shkatërrimi mund të ketë ardhur nga një lloj beteje e brendshme ose një pushtim që nuk shfaqet në mitologji. Disa studiues, besojnë se rrëfenjat epike të Homerit mund të ruajnë kujtime të konflikteve të vërteta të Epokës së Bronzit, shumë të mitizuara dhe të kombinuara me elementë të trilluar gjatë shekujve të traditës gojore.
Në korrik të këtij viti, arkeologët njoftuan zbulimin e artefakteve të Epokës së Vonë të Bronzit në Trojë, përfshirë gurë hobeje 3.500-vjeçarë që tregojnë shenja përdorimi si për qëllime sulmuese ashtu edhe për mbrojtje në betejë.
Megjithatë, vitet e fundit, arkeologët kanë zbuluar gjithnjë e më shumë shenja të dhunës, shkatërrimit dhe luftës së lashtë në Trojë. Dëshmi si dëmet nga zjarri, armët dhe skeletet e varrosura me nxitim, tregojnë se çdo konflikt ose konflikte që kanë ndodhur atje, kanë qenë shumë të dhunshëm.
Çfarë e shkaktoi Luftën e Trojës?
Sipas mitologjisë greke, Lufta e Trojës filloi kur Paridi, një princ trojan, rrëmbeu ose iku me Helenën, gruan e Menelaut, mbretit të Spartës. Kjo fyerje e shtyu Menelaun dhe vëllanë e tij, Agamemnonin, të mblidhnin një koalicion mbretërish greke për të rimarrë Helenën dhe për të ndëshkuar Trojën.
Historia mitologjike tregon se Paridi i dha një mollë të artë Afërditës, e cila i premtoi atij gruan më të bukur në botë – Helenën – duke i vënë ngjarjet në lëvizje. Duke supozuar se konfliktet historike ndodhën në Trojën e lashtë, shkaqet e vërteta ka të ngjarë të kenë qenë mosmarrëveshjet tregtare, ambiciet territoriale ose luftërat rajonale për pushtet.
A ishte një person i vërtetë Helena e Trojës?
Nuk ka prova historike që të konfirmojnë ekzistencën e saj të vërtetë. Ajo shfaqet ekskluzivisht në mitologjinë dhe letërsinë greke. Ndonjëherë e quajtur si “fytyra që nisi në luftë 1.000 anije”, Helena mund të përfaqësojë një figurë legjendare ose simbolike dhe jo një grua të vërtetë.
Disa studiues sugjerojnë se ajo mund të jetë një personazh i përbërë, një figurë hyjnore e adaptuar në formë njerëzore ose një krijim letrar, që përfaqëson “çmimin” përfundimtar për të cilin ia vlen të luftosh. Si personazh, Helena përfaqësonte qartë tema të caktuara të bukurisë, dëshirës, besnikërisë dhe kostove shkatërruese të luftës.
Kur ndodhi dhe sa zgjati Lufta e Trojës?
Historianët e lashtë grekë e datojnë tradicionalisht Luftën e Trojës rreth shekullit XII-të ose të XIII Para Erës Sonë, megjithëse vlerësimet ndryshojnë. Arkeologjia moderne tregon se vendbanimi që ka shumë të ngjarë të lidhet me Trojën e Homerit, u shkatërrua rreth vitit 1180 Para Erës Sonë.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se edhe nëse ky shkatërrim ndodhi si pasojë e luftës, nuk mund të konfirmojmë me siguri se ishte konflikti i përshkruar në epikat greke. Sipas mitologjisë greke, Lufta e Trojës zgjati 10 vjet. Megjithatë, ky afat kohor ka të ngjarë të jetë simbolik ose i ekzagjeruar.
Iliada e Homerit mbulon vetëm disa javë gjatë vitit të fundit të luftës, duke u përqendruar në zemërimin e Akilit dhe pasojat e tij. Publiku i lashtë ka të ngjarë ta ketë ditur versionin e plotë të historisë së luftës përmes traditës gojore. Ndërkohë, shumë historianë modernë e vënë në dyshim nëse ndonjë konflikt i vërtetë i Epokës së Bronzit, do të kishte vazhduar vërtet për një dekadë të tërë.
Cilët ishin palët në këtë luftë?
Lufta vuri përballë një koalicion të mbretërive të hershme greke (të njohura si Akej në tregimet e Homerit) kundër qytetit të Trojës dhe aleatëve të tij. Pala greke përfshinte luftëtarë të shumtë nga vende si Mikena, Sparta, Itaka, Pilosi dhe shumë rajone të tjera.
Sa i përket Trojës, ajo mbështetej nga aleatët e saj, përfshirë likianët, dardanët dhe popuj të tjerë nga rajoni përreth. Konflikti përfaqësonte një përplasje midis popujve të hershëm grekë nga kontinenti dhe banorëve të Anadollit Veriperëndimor, duke reflektuar përçarjet që u shfaqën gjatë Epokës së Bronzit në të gjithë botën egjeane.
Heronjtë më të mëdhenj grekë përfshinin Akilin, luftëtarin pothuajse të pamposhtur, zemërimi i të cilit nxit shkrimin e “Iliadës” nga Homeri; Odiseun , mbretin e fuqishëm të Itakës; Agamemnonin, komandantin e përgjithshëm dhe mbretin e Mikenës; Menelau, burrin e Helenës dhe mbretin e Spartës; Ajaksin, një luftëtar të fuqishëm që mburrej me forcën e jashtëzakonshme që zotëronte; dhe Diomedin, një luftëtar të egër që plagosi madje edhe disa perëndi gjatë betejave ku mori pjesë.
Heronj të tjerë të shquar të përfshirë Nestorin e mençur, shëruesin Makaon, Patroklin (shokun e ngushtë të Akilit) dhe Filoktetin, harku i të cilit në fund të fundit rezultoi vendimtar për fitoren greke në fund të luftës.
Në anën e trojanëve kampioni më i madh i Trojës ishte Hektori, princi trashëgimtar i qytetit, i cili udhëhoqi mbrojtjen e Trojës derisa Akili e vrau atë. Trojanë të tjerë të rëndësishëm përfshinin Priamin, mbretin e fundit të qytetit; Paridin, veprimet e të cilit shkaktuan luftën; Enean, një hero që përfundimisht i mbijetoi konfliktit; Sarpedonin, një princ likian dhe bir i Zeusit; dhe Glaukun, një tjetër luftëtar likian.
Deifobus, një tjetër nga djemtë e Priamit dhe mbretëresha e Amazonës Pentezilea, u shfaqën gjithashtu si heronj trojanë në mitologjinë e lashtë.
A ka ekzistuar vërtete Kali i Trojës?
Sipas legjendës Kali i Trojës ishte një kalë gjigant, i zbrazët dhe prej druri, të cilin grekët e ndërtuan si një ofertë të dukshme për perëndeshën Athena, përpara se të bënin sikur po largoheshin me anije, duke i dhënë fund rrethimit të Trojës.
Duke besuar se lufta kishte mbaruar, trojanët e futën kalin brenda mureve të qytetit të tyre si një trofe fitoreje. Por atë natë, luftëtarët grekë të fshehur brenda kalit të zbrazët dolën, hapën portat e Trojës për ushtrinë e tyre që po kthehej, dhe e plaçkitën qytetin.
Por shumë historianë e konsiderojnë Kalin e Trojës një trillim, një zbukurim legjendar dhe jo një fakt historik. Asnjë provë arkeologjike nuk e mbështet ekzistencën e tij dhe nuk përmendet në “Iliadën” e Homerit. Ai përmendet shkurtimisht tek vepra tjetër “Odisea” nga Menelau, por historia nuk u tregua e plotë.
Megjithatë, historia shfaqet tek “Eneida” e Virgjilit , si dhe në Ciklin Epik. Disa studiues sugjerojnë se “kali” mund të jetë një metaforë, që përfaqëson një makinë rrethimi ose edhe një tërmet (siç përfaqësonte edhe Poseidoni, perëndia greke e detit, si kuajt ashtu edhe tërmetet). Ose ka të ngjarë të jetë një shpikje letrare, e cila synon të simbolizojë zgjuarsinë e grekërve të lashtë, e cila triumfon mbi forcën e Trojës.
Kush e fitoi Luftën e Trojës?
Grekët fituan Luftën e Trojës, duke pushtuar dhe shkatërruar Trojën. Pas një rrethimi legjendar 10-vjeçar, grekët arritën fitoren pas përdorimit të shkëlqyer të Kalit të Trojës. Trojanët u mundën, qyteti i tyre u dogj, mbreti Priam dhe shumica e mbrojtësve meshkuj u vranë, ndërsa gratë dhe fëmijët u skllavëruan ose u shpërndanë midis fituesve.
Megjithatë, vdiqën edhe shumë heronj legjendarë grekë. Kështu, Agamemnoni u vra, dhe Odiseu u përball me një kalvar 10-vjeçar për t’u kthyer në shtëpi pas konfliktit. Ajaksi vrau veten dhe perëndi të ndryshme i ndëshkuan grekët për plaçkitjen brutale të Trojës.






