Në korrik të vitit 2020, në kohën kur Vjosa Osmani mbante postin e kryetares së Kuvendit, ndodhi një përplasje mes saj dhe deputetit të atëhershëm të LDK-së, Xhavit Ukaj. Pas kësaj përplasjeje, Osmani u detyrua ta ndërpresë seancën.
Në seancën ku po diskutohej për rishikimin e buxhetit, Ukaj ishte përplasur me Osmanin.
Kjo e fundit, në atë kohë, pati deklaruar se ishte kërcënuar nga Ukaj dhe për këtë arsye kishte hapur rast në polici.
“Ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedentë për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Shpresoj që organet e rendit të merren sa më shpejt me këtë rast, ndërkaq ne i kthehemi punës së Kuvendit të hënën në orën 14:00, sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit. Ka tema të rëndësishme me të cilat duhet të merremi, siç është menaxhimi i pandemisë dhe nuk lejoj asnjë person të papërgjegjshëm të më pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, kishte deklaruar Osmani.
Ndërsa Xhavit Ukaj, i cili në atë kohë mbante postin e deputetit, pati deklaruar se nuk e kishte kërcënuar dhe as fyer Vjosa Osmanin, por kishte kërkuar shpjegime pse ajo po i përkrahte sulmet dhe fyerjet ndaj njerëzve të partisë së Ibrahim Rugovës.
Ukaj ka thënë se Vjosa Osmani ishte shndërruar në provokuese dhe sulmuese të LDK-së.
“Unë deklaroj publikisht që asnjë fjalë fyese dhe kërcënim nuk e kam shprehur në drejtim të saj. Janë të gjitha videot që e dëshmojnë ngjarjen e asaj dite”, ka shkruar Ukaj.
Pas kësaj, Ukaj kishte shkuar te ulësja e kryetares së Kuvendit, por nuk ishte lejuar t’i afrohej nga deputetët e tjerë.
“Nëse dëgjohet dhe vërtetohet vetëm një fjalë fyese ose kërcënim, unë do të jap përgjegjësi. Unë vetëm kërkova sqarim se pse ajo në çdo seancë na provokon dhe po lejon që të ofendohemi ne si deputetë dhe qeveria e udhëhequr nga LDK-ja dhe partnerët e saj. Duhet të ndalet ky sulm i përsëritshëm në çdo seancë ndaj nesh. Unë në politikë nuk jam ngritur asnjëherë duke u viktimizuar, duke sharë e fyer bashkëpartiakët e mi e duke ua plotësuar egot rivalëve të LDK-së”, ka shtuar ai.
Nuk dihet nëse kjo është arsyeja pse Vjosa Osmani nuk e futi Xhavit Ukajn në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një deklarim publik, Xhavit Ukaj mbrëmë tha se ishte propozuar nga Dega e LDK-së në Prizren dhe kishte marrë mbështetje unanime, por nuk ishte lejuar të ishte pjesë e listës së kandidatëve.
“Nuk mu lejua të jem kandidat për deputet”, ka deklaruar Xhavit Ukaj, duke shtuar se vendimi përjashtues, sipas tij, nuk përkon me kontributin e tij shumëvjeçar në parti.
Ukaj ka thënë se ka qenë gjithmonë aktiv në LDK pa interesa personale dhe në periudha të vështira për partinë, duke theksuar se ndihet i zhgënjyer me mënyrën e trajtimit të tij.
Ai gjithashtu ka përmendur se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm kishte votuar kundër që Vjosa Osmani të ishte bartëse e listës, duke sqaruar se nuk kishte qenë kundër bashkimit në parim, por ndaj mënyrës se si ishte realizuar procesi.
Sipas tij, bashkimi brenda LDK-së duhet të bazohet në respektimin e figurave që kanë kontribuar ndër vite në parti.
Mbrëmë, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se listën për deputetë e kishte përpiluar Vjosa Osmani si bartëse e saj.
Këtu mund ta ndiqni përplasjen mes Osmanit dhe Ukajt në vitin 2020:









