Situata në Evropë vazhdon të përshkallëzohet. Javën e kaluar, dronë rusë u shfaqën në Poloni, dhe të premten, avionë luftarakë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë. Moska duket se po e teston NATO-n, duke eksploruar se sa larg mund të shkojë. A është një sulm ajror në Cyrih, Bernë apo Gjenevë i afërt?
Ekspertët nuk e përjashtojnë një skenar të tillë. “Ekziston rreziku që Rusia të nisë sulme eksploruese ndaj Zvicrës nga distanca”, tha për gazetën “Sonntagszeitung” ish-Shefi i Forcave Ajrore, Bernhard Müller.
Presidenti Vladimir Putin mund ta përdorë këtë për të testuar se si do të reagonte një vend neutral dhe NATO, sipas Müller. “Në Poloni dhe shtetet baltike, ne tashmë po shohim se si rusët po i testojnë vazhdimisht kufijtë”, shprehet ai.
Javën e kaluar, ministri i Mbrojtjes Martin Pfister, e kishte bërë të qartë se Zvicra aktualisht do të ishte e pafuqishme kundër një sulmi me dronë . “Sistemi ynë i mbrojtjes ajrore nuk mund të mbrohet aktualisht nga një ndërhyrje e tillë nga dronët”, tha Pfiser.
Por kjo vlen njësoj për raketat balistike, raketat hipersonike dhe raketat kruz, paralajmëron ish-oficeri ushtarak Müller.
“Jemi larg të paturit një sistem të mbrojtjes ajrore të mbrojtshëm”, shton ai.
Ndonëse nuk është e qartë se kur mund të ndodhin sulme të tilla, ish-Shefi i Forcave Ajrore thekson ” është e qartë se do të duhet të jemi gati para vitit 2030.”
“Faza tjetër janë sulmet ajrore”
Edhe sot, goditjet ruse ndihen vazhdimisht në Zvicër. Faza e parë e luftës hibride me sulme kibernetike ka filluar tashmë, sipas Paul Winiker, i cituar nga “Sonntagszeitung”.
“Faza tjetër janë sulmet ajrore”, thotë ish-këshilltari i qeverisë së Lucernit dhe kreu i komisionit të strategjisë së shoqatës Pro Militia.
Departamenti Federal i Mbrojtjes (DDPS) pranon se sistemet ekzistuese, të tilla si avionët F/A-18 ose armët kundërajrore “nuk mund të luftojnë dronë të vegjël ose mini-dronë, as raketa lundrimi, raketa balistike ose armë hipersonike”.
Të paktën ka njëfarë përmirësimi në horizont. Qeveria federale ka porositur 36 avionë luftarakë F-35 dhe5 njësi Patriot për mbrojtje ajrore me rreze të gjatë veprimi. Kjo do të lejonte që afërsisht një e treta e territorit të vendit të mbrohet. Megjithatë, këto projekte po përballen edhe me kosto dhe vonesa shtesë.
Përveç kësaj, Qeveria federale po punon për të mbyllur boshllëkun në mbrojtjen ajrore me rreze të mesme veprimi. Për këtë qëllim, po blihen 5 njësi zjarri Iris-T.
Por edhe nëse zbatohen të gjitha prokurimet e planifikuara, problemi i mungesës së municioneve mbetet.
Në një rast emergjence, ushtria do të mbaronte shpejt stokun edhe me armët e reja. Kjo ngre pyetjen nëse Zvicra mund ta mbrojë veten me të vërtetë në mënyrë efektive nga kërcënimet ajrore me planifikimin aktual. /Përshtatur nga Blick/










