spot_img
spot_img
Wednesday, February 4, 2026
spot_img
spot_img

A do të shmanget lufta e madhe?

Shkruar nga Amin Saikal

I alarmuar nga një vlerësim i shërbimeve sekrete, se Irani do të jetë në gjendje të prodhojë një armë bërthamore brenda disa muajsh ose ndoshta disa javësh, Izraeli nisi në orët e para të së premtes një fushatë të madhe sulmesh ajrore, që synojnë të shkatërrojë programin bërthamor të vendit islamik.

Sulmet ajrore të Izraelit, goditën impiantin kryesor të pasurimit bërthamor të Iranit në Natanz, mbrojtjen e tij ajrore si dhe impiantet e raketave me rreze të gjatë veprimi. Midis të vdekurve janë Hossein Salami, shefi i Korpusit të fuqishëm të Gardës Revolucionare të Iranit; Mohammad Bagheri, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë; dhe dy shkencëtarë të shquar bërthamorë.

Udhëheqësi Suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, ka premtuar si kundërpërgjigje “një ndëshkim të rëndë”. Irani mund të synojë potencialisht centralet bërthamore të Izraelit dhe bazat amerikane në të gjithë Gjirin Persik. Izraeli pretendoi se vetëm disa orë pas sulmit, Irani lëshoi 100 dronë drejt tij. Lindja e Mesme, është sërish në prag të një lufte potencialisht shkatërruese me pasoja serioze rajonale dhe globale.

Bllokimi i bisedimeve mbi programin bërthamor

Operacionet e fundit ushtarake izraelite, ndodhin në sfondin e një sërë bisedimesh bërthamore ende të papërfunduara midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Këto negociata filluan në mesin e prillit me kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump, dhe synonin të arrinin një marrëveshje brenda disa muajsh.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i kundërshtoi publikisht bisedimet, duke këmbëngulur për veprime ushtarake si opsionin më të mirë për të ndaluar programin bërthamor të Iranit.

Përpjekjet diplomatike kishin ngecur në javët e fundit, për shkak të kërkesës së Trump që Irani të binte dakord për një ndërprerje të pasurimit me uraniumit, dhe që të asgjësonte rezervat e tij prej rreth 400 kilogramësh uranium të pasuruar në një nivel pastërtie prej 60 për qind.

Sepse, ky uranium mund të pasurohet më tej me shpejtësi sa për të prodhuar armët bërthamore. Teherani refuzoi të bindej, duke e quajtur këtë një pikë “ të panegociueshme ”.

Netanyahu ishte zotuar prej kohësh për të eliminuar atë që e ka quajtur “oktapodi” iranian – rrjeti i gjerë i degëve rajonale të regjimit, duke përfshirë Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban, regjimin e ish-udhëheqësit sirian Bashar Al-Assad dhe militantët Huthi në Jemen.

Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ushtria izraelite i ka degraduar ndjeshëm këto degë iraniane, një nga një. Tani, Netanyahu ka vendosur t’i presë kokën “oktapodit”.

Trump qëndron i distancuar

Benjamin Netanyahu i ka kërkuar edhe më herët Uashingtonit t’i bashkohet në një operacion ushtarak kundër Iranit. Megjithatë, udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Amerikës, nuk kanë preferuar të ndezin ose të përfshihen në një luftë tjetër në Lindjen e Mesme, veçanërisht pas dështimeve të mëdha në Irak dhe Afganistan.

Pavarësisht angazhimit të tij të fortë ndaj sigurisë dhe supremacisë rajonale të Izraelit, Trump ka vazhduar të ndjekë këtë qëndrim të SHBA-së, për dy arsye të rëndësishme. Ai nuk i ka harruar urimet e ngrohta të Netanyahut për Joe Biden kur ai e mundi Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2020.

Së dyti, Trump nuk ka qenë i prirur të jetë shumë i lidhur ngushtë me Netanyahun, në kurriz të marrëdhënieve të tij shumë më fitimprurëse me shtetet arabe të pasura me naftë. Kohët e fundit ai vizitoi Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në një tur të ri në Lindjen e Mesme, duke e anashkaluar Izraelin.

Në fakt, këtë javë Trump e kishte paralajmëruar Netanyahun të mos bënte asgjë që mund të dëmtonte bisedimet bërthamore të SHBA-së me Iranin. Ai synonte të siguronte një marrëveshje për të rritur reputacionin e tij të vetëshpallur si ndërmjetës paqeje, pavarësisht se deri më tani nuk ka ecur shumë mirë në këtë front.

Por, ndërsa dukej se bisedimet mbi progamin bërthamor iranian po hynin në një qorrsokak, Netanyahu vendosi që tani ishte momenti i duhur për të vepruar. Administrata Trump është distancuar nga sulmi, duke thënë se nuk ka asnjë lloj përfshirje. Mbetet për t’u parë nëse SHBA-ja do të përfshihen tani në luftë për të mbrojtur Izraelin, nëse dhe kur të hakmerret Irani, siç edhe ka premtuar.

Çfarë mund të nënkuptojë një luftë më e gjerë në rajon

Izraeli ka treguar se zotëron aftësinë për të përdorur një fuqi zjarri të jashtëzakonshme, duke shkaktuar dëme serioze në objektet dhe infrastrukturën bërthamore dhe ushtarake të Iranit. Por edhe regjimi islamik iranian ka aftësinë për t’u hakmarrë, me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.

Pavarësisht faktit se udhëheqja iraniane përballet me probleme serioze të brendshme në frontet politike, sociale dhe ekonomike, ajo ka ende aftësinë për të shënjestruar asetet izraelite dhe amerikane në rajon me raketa dhe dronë të përparuar.

Po ashtu, mund të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilit kalojnë 20-25 për qind e dërgesave globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Është e rëndësishme të theksohet se Irani ka partneritete strategjike si me Rusinë ashtu edhe me Kinën.

Në varësi të natyrës dhe fushëveprimit të përgjigjes iraniane, konflikti aktual mund të zhvillohet lehtësisht në një luftë rajonale të pakontrollueshme, ku asnjëra nga palët nuk do të dalë fituese. Një konflikt i madh, jo vetëm që mund të destabilizojë më tej një Lindje e Mesme tashmë të paqëndrueshme, por edhe të përmbysë peizazhin e brishtë gjeopolitik dhe ekonomik global.

Lindja e Mesme nuk mund të përballojë dot një luftë tjetër. Donald Trump kishte arsye të forta për të frenuar qeverinë e Netanyahut, ndërsa zhvilloheshin negociatat bërthamore me Teheranin, për të parë nëse mund të arrinte një marrëveshje.

Nëse kjo marrëveshje mund të shpëtohet në mesin e këtij kaosi, kjo është e paqartë. Raundi tjetër i negociatave, ishte planifikuar të mbahej të dielën në Oman, por Irani tha se nuk do ta marrë pjesë dhe të gjitha bisedimet janë anuluar deri në një njoftim të mëtejshëm.

Nën presidencën e Barack Obamës, Irani dhe SHBA-të, kishin rënë dakord për një marrëveshje bërthamore: Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit. Edhe pse Netanyahu e quajti atë si “marrëveshja më e keqe e shekullit ”, ajo dukej se po zbatohej derisa Trump, i nxitur nga Netanyahu, u tërhoq në mënyrë të njëanshme prej saj në vitin 2018.

Tani, Netanyahu po ndjek qasjen ushtarake për të penguar programin bërthamor të Iranit. Ndërkohë rajoni – dhe pjesa tjetër e botës – do të duhet të presë dhe të shohë nëse një luftë tjetër mund të shmanget para se të jetë tepër vonë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit