Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Letoni, ka zhvilluar një sërë takimesh e vizitash të rëndësishme në kuadër të thellimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe avancimit të rolit të grave në procese demokratike dhe të sigurisë.
Në një postim në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se ka vizituar Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM) në Riga, një institucion kyç në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe në mbrojtje të integritetit të informacionit.
“Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve në siguri kibernetike dhe komunikim strategjik, si pjesë e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në NATO”, shkroi Osmani.
Presidentja kosovare po ashtu mori pjesë në një diskutim në Shtëpinë e Evropës, ku bashkë me gra lidere dhe aktiviste nga Letonia, ndau përvojën e Kosovës – si një vend që ka kaluar luftën, por që sot, sipas saj, avancon me gratë në qendër të çdo procesi demokratik dhe të sigurisë.
Vizita u përmbyll në Muzeun e Okupimit të Letonisë, të cilin Osmani e përshkroi si një moment reflektimi të thellë për qëndresën e përbashkët të Kosovës dhe Letonisë ndaj pushtimit dhe padrejtësive.
“Si Kosova, ashtu edhe Letonia, mbijetuan përmes rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë – për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt”, përfundoi Osmani.









