Presidenti i Letonisë, Edgar Rinkēvičs, ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme të shtetit të tij për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, që po qëndron për vizitë zyrtare në Letoni.
“Dua të nënvizoj se konfirmova mbështetjen tonë të pakursyer për Kosovën, në emër të Letonisë, si dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe në vazhdimin e Integrimit Evropian. Unë vetë e vizitova Kosovën këtë vit në fakt në mars, këtë vit në pranverë kur vizitova edhe ushtarët e KFOR-it. Aktualisht kemi dislokuar rreth 140 ushtarë ose trupa në Kosovë dhe atëherë me znj. Presidente diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, sigurinë rajonale dhe besoj se jemi vende me të njëjtat mendësi, jemi në të njëjtën rrugë dhe në të njëjtën faqe kur bëhet fjalë për shumë çështje të ndryshme dhe gjithashtu konfirmova se politikat e sigurisë dhe të jashtme të Kosovës janë plotësisht në përputhje me politikën e sigurisë dhe të jashtme të Bashkimit Evropian,”, deklaroi presidenti letonez.
Presidenti Rinkēvičs e cilësoi vizitën e Osmanit si historike, duke theksuar rëndësinë që ka kjo vizitë për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Jam shumë i lumtur që sot e mirëpres në një vizitë pune Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Osmani Sadriu. Është një vizitë historike, gjatë këtij takimi kuptuam se në fakt kjo është vizita e parë e Presidentes së Kosovës në Letoni. Megjithatë ka qenë në Letoni më parë si anëtare e parlamentit, por në cilësinë e Presidentes dhe duke përfaqësuar institucionin e Presidencës së Kosovës ajo është këtu për herë të parë në Letoni, gjë që vetëm sa nënvizon se marrëdhëniet tona, si politike ashtu edhe ekonomike, po zhvillohen mjaft shpejt dhe me sukses,”, u shpreh Rinkēvičs.






