Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar sot gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, ndërsa para trupit gjykues po dëshmon vëllai i saj, Leonardi.
Ai ka rrëfyer për momentet e para pas vrasjes së motrës, duke e cilësuar sjelljen e Naim Murselit – bashkëshortit të të ndjerës dhe të akuzuarit kryesor – si të ftohtë dhe të pashpjegueshme.
“Filloi e pamja, Naimi nuk ishte askund. E kam thirrë në telefon, i kam thënë: Ku je Naim, njerëzit kanë ardhë me pa, të po të kërkojnë. Më ka thënë: ‘Fëmijët kanë me dëshmu, jam rrugës’”, ka treguar Leonardi.
Ai tha se gjithë familja ishte habitur me qetësinë e Naimit dhe të Kushtrimit, të cilët, sipas tij, nuk treguan asnjë reagim emocional as në raport me ta e as para mediave.
“Na habitke qetësia e Naimit dhe Kushtrimit, shumë të ftohtë edhe me ne, edhe me mediat,” ka thënë ai.
Më tej, Ademaj ka përmendur edhe deklaratën e babait të tyre, i cili kishte mbetur i zhgënjyer nga sjellja e Murselit dhe kishte thënë:
“Miqasia mes nesh dhe tyre ka përfundu. Si është e mundur që Naimi e ka lënë vetëm Liridonën?”









