Në emisionin Autokton të Autores Anila Ahmataj, për herë të parë u trajtua në një dokumentar historia e trishtë dhe veprimtaria patëriotike e dëshmorit të Atdheut dhe komandantit të Çetës “Halim Rakipi” Hysni Muka
Gorrishti, dhimbja dhe lavdia e një krahine!
Në jug të Shqipërisë, ku malet lidhen dorë për dore me qiellin dhe era flet me gjethet në një gjuhë të vjetër sa vetë toka, ndodhet krahina e Gorrishtit,një vend i thellë, i bukur dhe krenar, që dikur ishte zemra e jetës për dhjetëra fshatra përreth. E njohur për natyrën e egër e të mrekullueshme, për burimet e pastra, pyjet, fushat pjellore dhe shtigjet që lidhnin fshat me fshat, kjo krahinë mbante brenda saj një pasuri edhe më të madhe, njerëzit e saj. Njerëz punëtorë, të urtë, të mençur e të pathyeshëm. Në qendër të kësaj krahine gjenden tre fshatra, Rexhepaj, Haderaj dhe Mërtiraj , që sot rrinë të heshtur, por që dikur rrezatonin jetë, krenari dhe gjallëri.
Rexhepaj, një fshat i vogël në koder, me shtëpi të ndërtuara me gurë të skalitur dhe oborre të mbjella me pemë shekullore, ishte zemra e komunitetit. Në Haderaj këndohej kenga labe si askund tjetër, ndërsa Mërtiraj njihej për burrat e urtë dhe nënat që rritnin breza të tërë me sakrificë e dashuri. Të tre fshatrat ndanin të njëjtat zakone, të njëjtat festa, të njëjtat gëzime dhe, siç ndodh gjithmonë në historitë e mëdha, edhe të njëjtën dhimbje. Gorrishti kishte shkollën e tij, një ndër të parat në zonë, ku mësuesit sillnin jo vetëm dije, por edhe shpresë.Ishe mësuesi i pare Rexhep Dizdari, i cili la kujtimet e tij mbi kete krahine e per ate popull. Kishte vatër kulturore,kishte qendër shëndetësore, punishte artizanale, tregje të vogla dhe jetë të madhe. Ishte një qendër shpirtërore dhe shoqërore, ku gjithçka kishte kuptim dhe ritëm.Por koha dhe harresa nuk kanë kursyer as këtë krahinë. Sot, ndër ato rrugica ku dikur kalonin qerre të mbushura me prodhime e njerëz me halle e gëzime, kanë mbetur vetëm disa hapa. Disa oxhaqe që nxjerrin ende tym. Disa familje të vetmuara që ruajnë me fanatizëm kujtimet.Sepse kjo tokë mban një histori të madhe.
Nga këto tre fshatra, Rexhepaj, Haderaj dhe Mërtiraj, 28 djem të rinj lanë gjithçka dhe dolën në luftë për liri. 28 dëshmorë që dhanë jetën për një të nesërme më të drejtë, për një Shqipëri më të mirë. Ishin bij të kësaj toke që s’u kursyen, që nuk u përkulën, që nuk heshtën përballë padrejtësisë. Emrat e tyre mund të jenë shuar nga gojët, por janë të gdhendur në gurë, në zemrat e familjeve dhe në kujtesën e kësaj krahine që sot flet për ta.Ata nuk ishin thjesht luftëtarë, ishin djem që ëndërronin të ndërtonin familje, të ngrinin shtëpi të reja mbi themelet e vjetra. Por e lanë gjithçka pas, sepse e ndien se liria nuk mund të vonohej. Sepse e dinin se atdheu i thërriste.
Në historinë e kombit tonë janë disa vende që kanë dhënë shumë më tepër nga sa pritej prej tyre. Disa krahina që janë të mëdha në shpirt, në sakrificë, në gjak. Krahina e Gorrishtit është një prej tyre. Gojëdhëna e hershme, e përcjellë nga brezi në brez, thotë:
“28 mijë dëshmorë i dha Shqipëria, një të mijtën dhamë ne.”
Një fjali e thjeshtë, por e ngarkuar me peshën e një realiteti të hidhur e krenar njëkohësisht. Sepse nga kjo krahinë e vogël, e përbërë nga fshatra si Rexhepaj, Haderaj dhe Mërtiraj, dolën shumë të rinj, por 28 djem të rinj, lanë shtëpitë, tokat, familjet dhe ëndrrat e tyre, për t’u rreshtuar krah për krah në betejën e madhe për liri. Ata nuk patën kohë të ndertonin endrrat. Jeta e tyre u ndërpre në lulëzim, por ata fituan pavdekësinë, sepse emrat e tyre u ngulitën përgjithmonë në kujtesën e një kombi dhe në ndërgjegjen e një krahine që nuk rreshti kurrë së qëndruari.
Njëri prej tyre ishte Hysni Muka, i cili ra dëshmor në Gjakovë ,larg vendlindjes së tij, por gjithsesi i lidhur ngushtë me të në çdo frymëmarrje të fundit. Ai si shumë të tjerë, tregoi se kufijtë nuk kanë rëndësi kur lufton për një ideal, për një Shqipëri të lirë e të bashkuar. Sakrifica e këtyre 28 dëshmorëve është dëshmi e një ideali të përbashkët, që u ngrit mbi gjithçka tjetër, mbi frikën, mbi jetën vetë. Ajo është një thirrje që na kujton se liria që sot kemi, nuk është dhuratë, por trashëgimi e fituar me gjakun e bijve më të mirë të kësaj toke.
Në një kohë kur shumëçka është harruar, dhe shumëçka ka ndryshuar, kujtimi i tyre mbetet i gjallë. Sepse në çdo gur të Gorrishtit, në çdo pemë që rritet në arat e braktisura, në çdo shteg që dikur shkelën këmbët e tyre, ndihet ende prania e tyre. Një kujtim që nuk vdes, një betim që nuk shuhet.
Gorrishti, krahinë e madhe në hartë, por e madhe në histori, mbetet përjetësisht krenare. Sepse në atë mijtën e dhënë për lirinë e Shqipërisë, dha më shumë se jetët e 28 bijve të vet, dha një shembull. Doli përpara kohës, dhe e shkroi emrin e saj me gjak në librin e madh të historisë sonë.
Ky dokumentar është për ta, për fshatin që i lindi, për këto troje që i rritën. Dhe për të gjithë ne, që kemi detyrimin të kujtojmë, të nderojmë dhe të mos harrojmë kurrë.
Hysni Muka frymë e maleve dhe krenari e gjallë e Gorrishtit…
Në çdo luftë të madhe ka emra që mbeten përjetësisht në kujtesën e një kombi. Jo për lavdi personale, as për ndonjë pasuri, por për atë që lanë pas, një jetë të thyer në mes për hir të një ideali të madh, atdheun.
Hysni Muka, biri i fshatit Rexhepaj të krahinës së Gorrishtit, ishte një nga ata burra që nuk zgjodhi rrugën e lehtë. Në një kohë kur çdo prind e kishte zemrën të lidhur pas familjes, ai zgjodhi të lërë pas bashkëshorten dhe fëmijët e tij të vegjël, dhe të ngjitej në mal, jo për të shpëtuar veten, por për të shpëtuar të ardhmen e tyre. Doli në luftë për lirinë e vendit, për të luftuar pushtuesin nazifashist, për një Shqipëri të drejtë, të lirë e të pavarur. Në periferi të lagjes Rexhepaj ndodhet një baçe me ullinj, pronar i se cilës asaj kohe ishte Muk Ramo Aliaj.
Në qendër të kësaj bahçeje, ku deri vonë ka ekzistuar rrënoja e truallit të familjes Aliaj, lindi më 15 janar 1900, Hysni Muka, fëmija i parë i familjes.
Babai i Hysniut , Muk Ramoja ishte një burrë i urtë e babaxhan, punëtor,i ndershëm e fjalë pakë. Ai gëzonte respektin e bashkfshatarëve për ndershmërinë e tij e si burrë zakoni.
Edhe gruaja e Mukës, Isafja, ishte një grua e shkathët, e dashur dhe e respektueshme me të gjithë. Ajo ishte një nënë e kujdesshme në mirërritjen e fëmijëve, ç’ka e vërtetoi shumë vite më vonë, me lindjen dhe rritjen e dy binjakëve. E përzemërt në pritjen dhe përcjelljen e miqve, farefisit e gjitonëve. Një grua e urtë, që mezi i dëgjohej zëri. Isafja ishte bijë nga Ploça, vajzë e patriotit Breshan Cane, një nga burrat e mençur të fshatit, pjesëmarrës me Ismail Progonatin në luftën e të Pesë Puseve në Janinë, kundër koshadheve turke.
Ardhja ne jete e Hysniut ishte, pa dyshim, një gëzim i veçantë për familjen Aliaj. Por ajo gëzoi, pa masë, edhe shokët e gjitoninë si dhe miqtë.
Hysniu do të rritej, e fëmijë të tjerë do të vinin në vatrën e Aliajve. Në familje endrat morën hov. Por çdo gjë nuk eci mbarë! Dy vjet pas lindjes së Hysniut, Mukën e morën nizam. Me Hamit Meçanin e disa fshatarë të tjerë, i syrgjynosën në Jemen. Katër vjet shërbeu atje. Familja mbeti pa ndihmë.
Në vitin 1906, Muka dhe Hamiti që ishin ushtar në Jemen u liruan dhe erdhën në Stamboll, ku u punësuan për të siguruar ndonjë të ardhur, deri në vitin 1908. Aty Hamiti u martua me një turkesh, me Edane, me të cilën pati edhe një vajzë.
Ardhja e Mukës ishte padyshim një ngjarje e jashtëzakonshme për familjen Aliaj dhe, në veçanti, për Hysniun. Muka e gjeti Hysnin afro nëntëvjeçar, me shtat të hedhur, të zgjuar, shumë të shkathët dhe shumë të etur për të thithur kuptimin e çdo bisede që bënte i ati me miqtë. Nga Turqia Muka kishte sjellë një dogra turke që mbushej nga gryka. Kur pa interesimin e jashtëzakonshëm të të birit për pushkën, Muka ja mësoi atij deri në detaje: si ta pastronte, si ta vaiste, si ta mbushte, si të merrte vijën e shënjimit e deri si tërhiqet këmbëza
Në biseda të ndryshme të pleqve, te Hysniu linin mbresa të forta, sidomos tregimet për kapedanët e luftrave kundër turqve, si Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Tafil Buzi etj.
Ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 Nentor 1912, ai e përjetoi si një ngjarje madhore për kombin shqiptar.Ndonëse vetëm 12 vjeç, Hysniu e ndjeu vehten krenar që u bë dëshmitar në ngritjen e flamurit në Rexhepaj, më 04 dhjetor 1912 nga një përfaqesi e fshatit me prani edhe tem bi 200 Gorrishjoteve.
Lufta e Vlorës 1920 e gjeti Hysniun 20 vjeçar, por duke qene vet Muka pjesmarres nuk e lejoi Hysniun te birin te angazhohej se mos vriteshin te dy. Lufta zgjati rreth tre muaj, qershor, korrik e gusht. Prandaj, me porosi direkte të shtabit të luftimeve, për çdo fshat u krijua një skuadër prapavije ku u inkuadrua edhe Hysniu për Gorishtin.Kjo skuadër ndihmoi në mënyrë të veçantë në mobilizimin e atyre forcave të afta për vjeljen, korrjen e shirjen e të lashtave, për sigurimin e ushqimit për dimër, për kafshët e punës, e ndihmoi familje që nuk kishin krah pune. Ndërkohë skuadra, në mënyrë të vazhdueshme, furnizonte luftëtarët me ushqime, tërhiqte të plagosurit e i çonte ato në baza të sigurta.Duke parë me sytë e tij fushën e luftës të 1920, në kujtesën e Hysniut u skalitën trimëria, sakrificat dhe vetmohimi që treguan baba, dhe bashkëluftëtarët e tij në këtë luftë sa të pabarabartë, aq edhe heroike. Këto ngjarje, djaloshit Hysni Muka, i ushqyen në ndërgjegje patriotizmin dhe atdhedashurinë. Rreth pesë muaj mbas lirimit nga ushtria, Hysniut i vdiq e ema. Muka kishte vdekur në pranverën e vitit 1928, kur Hysniu ishte ushtar.Vdekjen e të atit ai e përjetoi me shumë dhimbje. Hysniut i dhanë leje të shkonte në shtëpi për të percjellë të atin në banesën e fundit. Por për mungesë komuni-kacioni, ai as që nuk mundi ta zinte me dorë të atin dhe as ti hidhte një dorë dhe mbi varr. Pa dyshim vdekja e të ëmës, në më pak se dy vjet nga ajo e të atit,hidhëroi pa masë Hysniun dhe fëmijët e tjerë. Por, ai e gjeti një ngushëllim.
Hysniu u martua me Xhemilen e cila kishte mbetur e ve pasi burri ishte vrare ne lufte dhe nene e dy djemeve Demirit dhe Hametit. Xhemileja rrithte nga familje fisnike, me baze pateriotike, I kerkoi Husniut qe të merrte të dy djemte me vehte dhe Hysniu keshtu beri dhe në të njëjtën kohë premtoj se ata shumë shpejt do të bëheshin edhe pjesë e jetës së tij. Dhe kështu ndodhi…
Me Demirin, që ishte më i rritur, Hysniu veproi sikundër kishte vepruar i ati i tij me të. Duke e ditur se Demiri do ta kishte të vështirë ta thërriste direkt baba, ai i sygjeroi ta thërriste Çeço. Me Hametin Hysniu u lidh shumë shpejt dhe shumë ngushtë. Ne vitin 1935 nga nje semundje shume e forte Hameti nderroi jete, dhimbja ne familjen e Hysniut ishte shume e madhe. Koha fluturoi, Hysniu dhe Xhemilja sollen ne jete edhe kater femije te tjere , dy djem dhe dy vajza. Te peste femijet i dhane kuptim marteses dhe jetes bashkeshortore.
Formimi i çetës “Halim Rakipi”
Propaganda pro luftës kundër okupatorit dhe veglave të tij, bëri që brenda një kohe të shkurtër, njësitet e ushtarëve të popullit të të tre lagjeve, përveç ndeshjes me armë me trupat pushtuese italiane si në Rexhepaj, Selenicë, në malin e Bardhë etj, u rritën në numër dhe u armatosën më mirë. Dhe jo vetëm kaq. U krijuan kushtet për organizimin e një force të re luftarake, më aktive.Mbledhja për formimin e Çetës, organizuar më 28 maj 1943, te Korija e Muharrem Veliut, u anullua mbasi nuk mundi të vinte i dërguari i qarkorit të Vlorës. Ajo u shty për në datën 1 qershor.Në këtë datë, rreth 200 gorishiote dhe pjesëmarrësit e njësiteve të luftëtarëve të popullit, u mblodhën te ullinjtë e Tozet. Njësiti prej 12 vetësh i Rexhepe, drejtohej nga Hysni Muka. Ndërsa dy njësitet e tjera të Hadërjave e të Mërtiret drejtoheshin nga Medin Bilbili dhe Sherif Ceno. Kështu më 01 qershor 1943, u formua çeta partizane e Gorishtit me pjesëmarrjen aktive të rinisë gorishiote. Filluan regjistrimet. I pari ishte Hysni Muka. Me propozim të shatarëve dhe miratim të Hysni Kapos, çeta me 42 vetë mori emrin e atdhetarit dhe komandantit trim gorishiot ne Luftën e Vlorës, më 1920, dhe të dëshmorit të kësaj lufte, “Halim Rakipi”. Komandant i çetës u zgjodh Hysni Muka. Nga të gjithë të pranishmit ai zotëronte një përvojë më të gjatë lufte kundër shtypjes dhe shfrytëzimit feudal të Ahmet Zogut. Ai ishte dalluar për aftësi luftarake drejtimi dhe organizimi, ishte burrë guximtar, i ndershëm, i sinqertë, i dashur dhe i përkushtuar ndaj Atdheut. Të gjitha këto cilësi e vlera, e nxuar atë në krye të këtij formacioni luftarak. Dhe, luftës për çlirim, ai do t’i kushtonte edhe jetën.
zv.komandant u emërua Osman Beshiri. Hysniun, duke qenë më i moshuar i çetës, të gjithë luftëtarët nuk e thirrën komandant, por xha Hysniu. Kështu e thirrën atë edhe në batalion, në Brigadën e V.Me propozim të Hysni Kapo, komisar i çetës u emërua shoku Et’hem Gjinushi, antar i qarkorit të partisë së Vlorës. Shumë shpejt ai kaloi në detyra të tjera partie, dhe në detyrën e komisarit të çetës u ngarkua Ismail Çorrja. Ky qëndroi në këtë detyrë deri në mes të nëntorit. Çeta u organizua në tre skuadra ku komandant skuadre u zgjodhën :
Në skuadrën e parë Osmën Beshiri
Në skuadrën dytë Arshi Maliqi
Në skuadrën e tretë Bançe Saliu
Iu dorëzoi komandantit të çetës flamuri luftarak duke uruar ta mbajnë atë gjithmonë lartë e të papërlyer. Për mbajtjen e flamurit u ngarkua partizani më i ri i çetës Seit Hasim Imeri. Me detyrën e intendentit të çetës u ngarkua Veledin Kapo.
Hysni Kapo i dhuroi çetës edhe një mitraloz të lehtë, duke i çuar në dy numrin e tyre në përdorim. Mitralozët ju besuan partizanëve Çaush Zykos dhe Cane Serjanit, të cilët i përdorën me mjeshtëri në luftimet e ndryshme kundër armikut.
Xhemileja vendosi të përcillte Hysniun, atë moment ai i tha:…
Fshati formoi çetën e tij luftarake dhe mua më zgjodhën komandant. Eshte detyrë e vështirë, ti e di Lufta për çlirim kërkon sakrifica. Të japësh edhe jetën…
E di qe mbi shpatullat e tua detyrë e rëndë do të peshojë, kujdesu e rrit fëmijët, qe ata të bëhen për ne dhe për Atdheun. Ky mund të jetë takimi i fundit, nuk i dihet!! Luftë është e nëpër beteja të saj do të ecim. M’a mbaj të ndezur zjarrin në këtë truall, Xhemile!!
Por kjo histori nuk është vetëm e tij. Ajo është historia e një gruaje, që qëndroi pas, e vetme, përballë dhimbjes, përballë mungesës, përballë vështirësive që vetëm lufta i sjell. Gruaja e Hysni Mukës nuk ishte thjesht një bashkëshorte që priti burrin, ajo ishte heroinë e heshtur, që nuk e lëshoi kurrë vatren. Ajo mbajti gjallë shtëpinë, rriti fëmijët me sakrificë, me dinjitet dhe mbi të gjitha, me krenari për rrugën që zgjodhi i shoqi.Ajo nuk iu dorëzua as varfërisë, as dhimbjes, as mungesës. Në heshtje, në çdo mëngjes, ndizte zjarrin e vatres dhe ushqente shpresën në zemrat e fëmijëve të saj ,duke i rritur ata me përkushtim, me vlera, me emrin e babait si flamur.Kjo është një histori që nuk shkruhet vetëm me gjak, por edhe me lot, me dhimbje të përmbajtura dhe me një forcë të jashtëzakonshme të shpirtit shqiptar.
Pas formimit të çetës “Halim Rakipi”, në zonën e Vlorës u krijua një periudhë qetësie relative. Forcat italiane nuk guxonin të dilnin përtej Shushicës. Kjo kohë u shfrytëzua nga komanda e çetës për stërvitje ushtarake dhe përgatitje politike. Komandanti Hysni Muka dhe komisari Et’hem Gjinushi udhëhoqën me përkushtim përgatitjen e luftëtarëve.Por qetësia nuk zgjati. Më 15 qershor, një operacion italian me mbi 1200 trupa synonte të rimerrte Selenicën. Çetat partizane, të ndara në njësi të vogla dhe të lëvizshme, goditën armikun në befasi. Për dy ditë u zhvilluan luftime në pyjet e Treblovës dhe Armenit. Më 17 qershor, italianët hynë në Selenicë, por partizanët u tërhoqën, të gatshëm për t’u përballur sërish.Kjo ishte përplasja e parë direkte mes çetës dhe pushtuesve. Pas saj, çeta “Halim Rakipi” u inkuadrua në batalionin “Ismail Qemali”, duke marrë pjesë në aksione të njëpasnjëshme.Në korrik, u organizua një pritë vendimtare. Një tren ushtarak italian, që transportonte trupa nga Vlora në Selenicë, u godit në grykën e Përroit të Qepëve. Sulmi i koordinuar nga çetat “Halim Rakipi” dhe “Halim Xhelo” shkaktoi dëme të mëdha. Luftëtarët, të pozicionuar në çdo cep të luginës, qëlluan me intensitet. Italianët u kapën në befasi. Disa u dorëzuan, të tjerë u tërhoqën nën zjarr.Kështu, çeta “Halim Rakipi” u shndërrua në një forcë të rëndësishme të rezistencës antifashiste në jug të vendit.
Në verën e vitit 1943, egërsia fashiste nuk njohu kufij. Në Gorisht, italianët dogjën shtëpinë bazë të LANÇ-it, ku Bena Haxhiraj, bashkë me djalin e saj dyvjeçar, u mbyllën në flakë. Me një akt heroik, Bena arriti të shpëtonte djalin duke e rrokullisur djepin jashtë dritares. Ajo vetë u shua, por jetoi në kujtesën e popullit si simbol sakrifice.
Në gusht, filluan operacionet ndëshkimore. Më 5, 6 dhe 7 gusht, Tragjasi u përball me një ofensivë italiane, por rezistenca e batalionit “Ismail Qemali”, çetës “Halim Rakipi” dhe forcave lokale u tregua e pathyeshme.
Më 28 gusht, një pritë u organizua në Malin e Bardhë kundër autokolonës italiane. Luftimet ishin të ashpra. Populli I Mallakastrës, i mbledhur në Poçem, u betua se do të vazhdonte luftën për liri, pavarësisht çdo sakrifice.
Pas kapitullimit të Italisë në shtator, partizanët vepruan me shpejtësi për të çarmatosur garnizonet italiane përpara se të binin në duart e forcave gjermane ose Ballit Kombëtar. Më 7 shtator, garnizoni i Selenicës u rrethua dhe u dorëzua pa kushte. Në mbrëmje, çeta “Halim Rakipi” mori edhe postën e xhandarmërisë në Llakatund.Por lufta nuk mbaroi. Ushtria naziste gjermane zbriti në Shqipëri, më e egër dhe më e pajisur. Rezistenca vazhdoi.
Në Drashovicë, në shtator 1943, nisi një nga betejat më të mëdha të Luftës Nacionalçlirimtare. Në pozicionet pranë urës së Peshkëpisë, çeta “Halim Rakipi” ishte në ballë të sulmit. Në mesnatën e 16 shtatorit, shpërtheu zjarri i armëve. Luftimet qenë të pamëshirshme. Partizanët thyen linjat gjermane dhe morën kontrollin. Armiqtë kundërsulmuan, por partizanët qëndruan. Mitralozët e Cane Serjanit dhe Caush Zykës shuan dhjetëra armiq. Luftëtarë nga Gorishti iu bashkuan frontit, mes tyre edhe trimi Medin Bilbili. Drashovica u kthye në simbol të qëndresës shqiptare, një betejë për jetë a vdekje, ku liria u pagua me gjak, por jo me dorëzim..Divizioni italian Parma u detyrua te marr rrugen drejt Sarandes.
Në shkurt të vitit 1944, Brigada e V partizane kaloi nga mbrojtja në kundërsulm, duke thyer rrethimin në Mesaplik dhe rrethuar forcat armike në jug të Shqipërisë. Pas betejave të ashpra në zona si Bashaj, Velçë, Brataj dhe Gjorm, partizanët, të udhëhequr nga Hysni Muka dhe Mehmet Jaho, i dhanë goditje të njëpasnjëshme armikut, duke e detyruar te tërhiqet.
Në prill, Brigada e V u zhvendos drejt Tepelenës dhe Gjirokastrës, duke çliruar fshatra dhe shpartalluar njësi armike. Më 26-27 prill, në fushën e Çajupit u zhvillua mbledhja e përgjithshme e brigadës, ku ajo u ngarkua nga Shtabi i Përgjithshëm me detyrën historike për të mbrojtur Kongresin e Përmetit, por me krijimin e brigades se 12 ne Suk të Përmetit, për këtë çështje brigata filloi marshimin drejt veriun.
Në fundin e vitit 1944, forcat partizane shqiptare zhvilluan disa nga betejat më të ashpra kundër pushtuesve gjermanë. Qafa e Gjarprit, Shën Pali, Macukulli, Peshkopia, Dibra, Korabi e deri në veri në krahinën Lumës, ku betejat me armikun ishin te ashpra.
Në këto përleshje ranë shumë bijë të jugut, ndër ta, dëshmorë si Hysen Çino e Lalambro Andoni do mbeteshin përherë në kujtesën kombëtare.Më 29 shtator 1944, brigada e V-të u nda nga divizioni i I-rë dhe u riorganizua në Kolosian të Dibrës. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, ajo u nis për të luftuar jashtë kufijve shqiptarë , drejt Kosovës dhe Jugosllavisë.Xha Hysniu, siç e thërrisnin shokët e armëve, tashmë zëvendëskomandant i batalionit të dytë, do të shquhej për trimëri të jashtëzakonshme. Ai qëndronte gjithmonë në krye, duke mbrojtur jetën e partizanëve.
Në kushte të vështira, të zbathur, të uritur dhe nën acarin e dimrit, partizanët përballuan luftime të rënda, por gjithnjë e më afër fitores.
Më 7 tetor 1944, në Llapushnik, batalioni i II-të zhvilloi një ofensivë të befasishme dhe shkatërruese ndaj forcave armike, duke i rrethuar dhe neutralizuar me sukses. Udhëheqja e kujdesshme e Hysni Mukës në këtë operacion ishte vendimtare.
Pas disa ditësh, më 14 tetor, në Rugovë, partizanët kundërsulmuan me vendosmëri, duke zmbrapsur armikun.
Në 16 tetor, filloi beteja për çlirimin e Gjakovës. Rezistenca gjermane ishte e ashpër, por partizanët me guxim arritën të thyenin mbrojtjen. Një skuadër nën komandën e Arshi Maliqit arriti të kalonte urën strategjike të qytetit, duke hapur rrugën për avancim.
Në thellësi të qytetit, Arshi Maliqi ra dëshmor pas një përleshjeje trup më trup. Humbja e tij goditi thellë zemrën e komandant Hysniut.
Një akt tjetër që mbetet në kujtesë është momenti kur Hysni Muka hyri mes flakëve për të shpëtuar një fëmijë dyvjeçar nga një shtëpi që po digjej, një gjest që populli i Gjakovës nuk do ta harrojë kurrë.Pas Gjakovës, brigada marshoi drejt Prizrenit, ku përballoi forca të shumta armike të përkrahura nga çetnikët. Edhe aty, forcat partizane triumfuan.
Marshimi luftarak vazhdoi përmes Sanxhakut, Lipianit, Mitrovicës, Novi Varoshit, duke çliruar qytet pas qyteti deri në kufijtë me Malin e Zi.
Heroizmi i brigadës së V-të u kurorëzua me çlirimin e Vishegradit ,qytetit të fundit të pushtuar nga gjermanët në Jugosllavi. Me nder dhe sakrificë, ata përmbushën një detyrë historike ,patriotike, të larë me gjak. Në Gjakovë, aty ku tymi i luftës mbuloi qiellin, ra Hysni Muka. Ra për të ngritur një flamur. Një emër që nuk shuhet,por qe ndriçon.Ai nuk kërkoi lavdi. Kërkoi vetëm lirinë për vendin e tij dhe jetën për shokët që donte më shumë se veten. Dhe në këtë udhëtim të madh sakrifice, ai shkroi një faqe të pavdekshme historie.
Sot, mbi themelet e gjakut të tyre, ngrihet e ardhmja jonë. Dhe është detyra jonë, detyrë brezash, të mos lejojmë që kujtesa të fashitet, që flijimi të harrohet.Sepse atdheu nuk është vetëm tokë, është kujtesë. Dhe liria nuk është vetëm një dhuratë,është një amanet.






