Një aeroplan u rrëzua pas ngritjes nga Aeroporti i Southend, duke shpërthyer në zjarr pak metra larg pistës. Avioni Beech B200 thuhet se po shkonte drejt Holandës, ndërsa pamjet nga aksidenti kanë qarkulluar në rrjetet sociale.
Shihet një re e zezë tymi që ngrihet deri në 100 metra në qiell. Fluturimi për në Lelystad ishte planifikuar të nisej në orën 3:45 të pasdites, por pas një vonese dhjetë minutëshe duket se ka dalë nga pista.

Ende nuk dihet sesa persona ishin në bord, ndërsa policia, ambulancat dhe zjarrfikësit e Essex-it ndodhen në vendngjarje. Banorëve u këshillohet të qëndrojnë larg zonës ndërsa disa fluturime janë anuluar që nga rrëzimi.
“Jam në dijeni të një incidenti në Aeroportin e Southend. Ju lutem qëndroni larg dhe lejoni shërbimet e emergjencës të bëjnë punën e tyre. Mendimet e mia janë me të gjithë të përfshirët”, shkroi në X deputeti David Burton-Sampson.

Makinat e zjarrfikësve në aeroport
Policia raportoi gjithashtu se klubet sportive lokale, Rochford Hundred Golf Club dhe Westcliff Rugby Club, janë evakuuar gjithashtu për shkak të afërsisë me shpërthimin si një ‘masë paraprake’.
Një zëdhënës i Policisë së Essex tha se: “Po punojmë me të gjitha shërbimet e emergjencës në vendngjarje tani dhe puna do të vazhdojë për disa orë. Ju lutemi t’i kërkojmë publikut që ta shmangë këtë zonë sa herë që të jetë e mundur, ndërsa këto punime vazhdojnë”.
Gjithashtu, një fluturim i orës 17:25 për në Faro nga Aeroporti i Southend është anuluar, si dhe fluturimi i orës 17:30 për në Palma de Mallorca.










