Rebelët e M23 në lindje të Republikës Demokratike të Kongos i lejuan gazetarët e BBC-së të vizitonin një nga minierat më të mëdha nën kontrollin e tyre, një vend kyç për prodhimin e telefonave inteligjentë në mbarë botën. Në atë zonë të gjerë, asnjë njeri nuk rrinte kot.
Mijëra minatorë mbulonin relievin e çarë, të shpuar me gropa e tunele. Disa punonin në thellësi të tokës duke gërmuar me lopata për nxjerrjen e koltanit, një mineral i çmuar për pajisjet elektronike – ndërsa të tjerë ngarkonin thesat e rëndë në shpinë dhe i çonin në pikat e grumbullimit, ku pastroheshin dhe përpunoheshin me dorë.
“Së paku 10 mijë vetë punojnë çdo ditë këtu”, tha Patrice Musafiri, mbikëqyrës i vendburimit të Rubayas që prej kur M23 mori kontrollin në prill të vitit të kaluar.
Terreni është aq i ashpër, saqë ekipi ynë kishte nevojë për shkopinj ecjeje dhe udhëheqjen e z. Musafiri për të shmangur rrëzimet. Por për mijëra burra, kjo është jeta e vetme që kanë njohur. Është punë e rëndë, e rrezikshme dhe e lodhshme, por e vetmja mënyrë për të fituar një të ardhur minimale.

“Kur jemi në galeri, temperaturat janë shumë të larta. Gërmimi është shumë i vështirë… dhe ka edhe gazra të dëmshëm”, tregon Peter Osiasi, një minator i ri. “Ndonjëherë futet ajër i ftohtë me pompë, që të vazhdojmë punën.”
Megjithatë, ai është mirënjohës që prej pesë vitesh kur nisi punën në minierë, ka arritur të kursejë pak para për të paguar pajën e martesës. Tani është i martuar dhe ka fëmijë. “Jeta ime ka ndryshuar vërtet. Miniera më ka ndihmuar.”
Zona ku shtrihet kjo minierë gjigande është në kodrat e Masisit, në provincën e Kivu-t të Veriut, rreth 60 km në veri-perëndim të qytetit të Goma-s. Kjo zonë përmban rreth 15% të furnizimit botëror me koltan dhe gjysmën e rezervave totale të DR Kongos.
Nuk është çudi që investitorët ndërkombëtarë janë të fiksuar pas këtij territori. Prej vitesh, pasuritë e tij kanë financuar grupe të armatosura, përfshirë edhe ushtrinë kongoleze.
Vizita e ekipit të BBC-së në minierë ndodhi pak ditë pas një marrëveshjeje armëpushimi të firmosur në Uashington midis DR Kongos dhe Ruandës, pjesë e një procesi paqeje për t’i dhënë fund tre dekadave të destabilitetit në rajon.

Krizat në lindje të DR Kongos janë famëkeqe për kompleksitetin e tyre. Ato përfshijnë përplasje etnike dhe prani të milicive të shumta, përfshirë një grup etnik Hutu të lidhur me gjenocidin e Ruandës në 1994, që Kigali pretendon se mbështetet nga autoritetet kongoleze.
Më 27 qershor, të dyja palët në Uashington ranë dakord të çarmatosin dhe të ndalojnë mbështetjen për aleatët e tyre të dyshuar (edhe pse zyrtarisht e mohojnë që kanë të tillë).
Por M23 – një grup i drejtuar kryesisht nga etnikë Tutsi, nuk ishte pjesë e marrëveshjes. Që nga janari, ata kanë marrë kontrollin e qyteteve kryesore si Goma dhe Bukavu, si dhe dy aeroporteve. Ruanda është akuzuar vazhdimisht, përfshirë nga OKB, për mbështetje ndaj M23. Kigali, megjithatë, mohon çdo ndihmë ushtarake apo financiare.

Ndërhyrja e SHBA-së në këtë proces duket se lidhet me aksesin ndaj mineraleve të rralla të Kongos. “Po sigurojmë për Shtetet e Bashkuara të drejta minerare të mëdha në Kongo”, tha Presidenti Donald Trump përpara nënshkrimit të marrëveshjes.
Gjatë vizitës sonë të shkurtër, rreth 45 minuta leje, nuk pati asnjë shenjë se kontrolli mbi terrenin po ndryshonte.
Mbikëqyrësi, i caktuar nga M23, ishte i etur të tregonte se si ishte riorganizuar puna në Rubaya dhe si rebelët kishin sjellë siguri për minatorët, duke theksuar se asnjë njeri i armatosur nuk lejohet brenda vendburimit.
“Kemi zgjidhur shumë çështje,” tha z. Musafiri. “Tani kemi një departament minerar që mbikëqyr sigurinë dhe zgjidh mosmarrëveshjet e brendshme. Nëse një tunel bëhet i rrezikshëm, njoftojmë njerëzit të largohen.”
“Njerëz nga grupe të ndryshme vijnë çdo ditë këtu për të nxjerrë mineralin, të tjerë për ta blerë dhe sot kemi një treg të madh në Goma ku shiten sasi të mëdha,” përfundoi ai.










