“Nuk më shqitet nga sytë buzëqeshja e Werner Daum mbrëmë kur u ndamë në oborrin e hotelit”, shkruan pedagogu i Universitetit Europian të Tiranës, Besjan Zogaj, në një postim prekës pas ndarjes nga jeta të ish-ambasadorit gjerman në Shqipëri, Werner Daum.
Zogaj, që e kishte shoqëruar diplomatin gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, ndan emocionet dhe momentet e fundit me të.
“Kam dhimbje për të sot ndërsa nuk më shqitet nga sytë buzëqeshja e tij mbrëmë kur u ndamë në oborrin e hotelit, tek ecte me çantën në dorë dhe xhaketën mbi supe si një djalosh. Ngjante si një engjëll i gëzuar,” shkruan ai në rrjetet sociale.
Sipas tij, bisedat e Daum mbi Shqipërinë ishin “një magjepsje për të gjithë” gjatë këtyre ditëve, duke lënë mbresa të pashlyeshme tek ata që e dëgjuan.
Werner Daum është kujtuar jo vetëm për kontributin diplomatik, por edhe për dashurinë dhe respektin që tregoi për kulturën dhe historinë shqiptare. Ai mbetet një figurë e veçantë për shumë shqiptarë që patën fatin ta takonin.
Reagimi i plotë:
Ambasadori Werner Daum u shua në Shqipërinë që e deshi aq shumë, e ku kaloj ditën e fundit të jetës së tij i lumtur dhe i nderuar, siç e meritonte!
Rrëfimet e tij emocionuese mbi Shqipërinë këto ditë ishin një magjepsje për të gjithë. Prof. Dr. Werner Daum nuk ishte një personazh i çfarëdoshëm. Ai ishte me plot kuptimin e fjalës një njeri i jashtëzakonshëm. Një ndër ata persona që mjafton t’i takosh një herë, për të mos e harruar kurrë.
Një intelektual i përkorë dhe frymëzues, që do të nderohet përjetësisht jo vetëm nga 3199 shqiptarët që strehoi dhe mbrojti brenda selisë diplomatike gjermane 35 vite më parë, por nga të gjithë ata që patën mundësi ta njihnin dhe ta dëgjonin. Mbi të gjitha, ai është protagonisti i padiskutueshëm i një prej kthesave më të rëndësishme të historisë tonë moderne, për të cilën shteti shqiptar duhet të shprehë mirënjohje të thellë!
Pata nderin ta njihja 10 vite më parë, në ceremoninë e përkujtimit të 25-vjetorit të rënies së komunizmit organizuar atëkohë nga Institucioni i Presidentit, nga ku, si një gjerman i vërtetë, ruante ende spilën e dhuruar gjatë atij takimi edhe tani. U bëra një mik dhe ithtar i tij.
Kam dhimbje për të sot ndërsa nuk më shqitet nga sytë buzëqeshja e tij mbrëmë kur u ndamë në oborrin e hotelit, tek ecte me çantën në dorë dhe xhaketën mbi supe si një djalosh. Ngjante si një engjëll i gëzuar.
Ishte një nder ta prisja dhe ta shoqëroja me shumë respekt dhe dashuri ketë mik të shtrenjtë në agjendën e tij 4 ditore me Universitetin Europian të Tiranës dhe Bashkinë Kavajë, që u bë dhe udhëtimi i tij i fundit i jetës.
Lamtumirë ambasador dhe prehu në paqe. Do jesh përjetë i paharruar.






