Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka paralajmëruar për rrezikun që përfaqëson modeli i qeverisjes së Vladimir Putinit, duke thënë se ky sistem operon përmes frikës, kontrollit total dhe eliminimit selektiv të kundërshtarëve – madje edhe të bashkëpunëtorëve të afërt.
“Putinizmi nuk kursen as bashkëpunëtorët. Në Rusi, biznesmenë të fuqishëm, drejtues të gjigantëve shtetërorë të gazit dhe naftës, ish-ministra e madje edhe gjeneralë – po ‘bien nga dritaret’, ‘vetëvriten’ apo ‘vdesin papritur’”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Ai thotë se kjo është skemë klasike e një regjimi autoritar që zhduk ata që janë të pakontrollueshëm apo që nuk i shërbejnë më interesave të pushtetit.
Sipas tij, modeli i Putinit po shërben si frymëzim edhe për regjime satelite në rajon, përfshirë atë të Aleksandër Vuçiqit në Serbi.
“Lojaliteti ndaj Moskës atje është më i fortë se ndaj Evropës, dhe siguria shtetërore shpesh ngjan më shumë me një makineri hakmarrjeje sesa me një institucion demokratik”, ka shkruar tutje Musliu.






