Ministria e Kulturës ka ndaluar punimet në një objekt përcjellës të ndërtuar pranë kishës ortodokse në Prekovc, në kufi mes Skenderajt, Mitrovicës dhe Zubin Potokut, shkruan GazetaKosova.net
Vendimi u bë i ditur përmes një pllake njoftuese të vendosur në ndërtesë, e cila u rrethua me shirita paralajmërues.
Sipas banorëve, objekti ishte ndërtuar pa leje rreth tre muaj më parë, ndërsa ndërhyrja e Ministrisë erdhi vetëm pasi punimet kishin përfunduar.
Ky vend mbetet subjekt përplasjeje identitare. Serbët e konsiderojnë kishën si trashëgimi të tyre ortodokse, ndërsa shqiptarët besojnë se ajo ishte fillimisht kishë katolike shqiptare që më vonë u sllavizua.
Banorët po ashtu thonë se janë shkatërruar edhe varrezat shqiptare në afërsi për të fshirë gjurmët e historisë së vërtetë.
Zona është përdorur vazhdimisht nga propaganda serbe, por përkundër gjithçkaje, mbetet një vend simbolik i qëndresës dhe tolerancës fetare.






