Në lumin Sena në Paris mund të notohet nga gjithkush që e dëshiron një gjë të tillë. Kjo është hera e parë që nga viti 1923, që publikut i lejohet të notojë në Sena.
Hapja sezonale e Senës për not shihet si një trashëgimi kyçe e Lojërave Olimpike Paris 2024, kur notarët dhe triatlonistët garuan në ujërat e saj.
Të shtunën në mëngjes, në orën 08:00 sipas kohës lokale (07:00 BST), disa dhjetëra notarë mbërritën përpara hapjes dhe u zhytën në ujë.
Në Sena ka tre zona të caktuara për not publik: një pranë Kullës Eiffel, një tjetër pranë Katedrales Notre Dame dhe një e tretë në lindje të Parisit.
Zonat kanë dhoma zhveshjeje, dushe në stil plazhi, dhe lejojnë deri në 300 persona të shtrojnë peshqirët e tyre.
Deri në fund të gushtit, të tre vendet e notit do të jenë të hapura falas në orare të caktuara për këdo me moshë minimale 10 ose 14 vjeç, varësisht nga vendndodhja.
Rojet bregdetare do të jenë gjithashtu të pranishme për të mbajtur nën vëzhgim ata që do të lahen në lumë.
Premtimi për të hequr ndalimin e notit daton që nga viti 1988, kur kryetari i atëhershëm i bashkisë së Parisit dhe presidenti i ardhshëm Jacques Chirac mbështeti për herë të parë anulimin e tij.
Për 100 vjet, noti në lumë ishte i ndaluar për shkak të niveleve të ndotjes së ujit që mund t’i sëmurte njerëzit.
Përpara Lojërave Olimpike të verës së kaluar, më shumë se 1.4 miliardë euro (1.2 miliardë paund; 1.6 miliardë dollarë) u investuan në pastrimin e Senës.
Por, në prag të lojërave kishte dyshime nëse lumi Sena do të ishte gati për Lojërat Olimpike, pasi u zbulua se nuk i kaloi testet e cilësisë së ujit.
Organizatorët fajësuan reshjet e shiut për rritjen e ndotjes, e cila kufizoi aftësitë e atletëve për t’u stërvitur për triatlonin, maratonën e notit dhe paratriatlonin.
Korrikun e kaluar, kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, dhe anëtarë të tjerë të komitetit Olimpik hynë në lumin Sena për të provuar se ishte e sigurt të notoje në të.








