Autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë evakuuar të shtunën paradite ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, pas një kërcënimi për vendosje të mundshme të një bombe. Si pasojë, të gjithë deputetët e sapozgjedhur, përfaqësuesit e mediave dhe personat e tjerë të pranishëm në sallë janë larguar menjëherë nga objekti, ndërsa seanca konstituive është shtyrë për në orët e mbrëmjes.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka marrë një informacion për një kërcënim të mundshëm dhe ka ndërmarrë menjëherë masat për sigurimin e vendit, përfshirë thirrjen e njësive speciale të deminimit dhe kontrollin e plotë të ndërtesës së Kuvendit.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka komentuar ngjarjen në një prononcim.
Ai thotë, se kërcënimi nuk është thjesht një incident i izoluar. Sipas tij, ai përbën një eskalim të qartë dhe të rrezikshëm të kërcënimeve ndaj institucioneve shtetërore, dhe veçanërisht ndaj institucionit më të lartë përfaqësues në demokracinë parlamentare.
Ky veprim e kalon pragun e tensioneve politike dhe futet në zonën e kërcënimit të sigurisë kombëtare dhe institucionale.
“Rasti i kërcënimit me bombë në Kuvendin e Kosovës, ndonëse i paprecedent në këtë formë të drejtpërdrejtë ndaj institucionit më të lartë të përfaqësimit demokratik, përbën një eskalim serioz të sigurisë publike dhe institucionale në Kosovë. Ky akt nuk është një rast i zakonshëm, por sinjal alarmi që duhet të analizohet në kontekstin më të gjerë politik dhe të sigurisë.
Në aspektin formal dhe të verifikueshëm publikisht, ky është rasti i parë ku një kërcënim me bombë ka ndodhur drejtpërdrejt ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës në kohën kur po mbahej një seancë konstituive, pra një moment kyç për funksionimin demokratik të shtetit.
Në të kaluarën ka pasur:
Raste të pakënaqësive politike dhe protesta, përfshirë edhe përdorim të gazit lotsjellës nga disa deputetë opozitarë vite më parë.
Por kërcënim i strukturuar me bombë, që kërkon evakuim total dhe ndërhyrje të njësive të specializuara, nuk është raportuar më parë në këtë formë”, thotë ai.
Se a qëndron dikush prapa këtij kërcënimi, Shala thotë se ky rast mund të shihet në tri plane kryesore:
motiv politik i brendshëm, ndërhyrje e jashtme – operacion hibrid dhe akt individual apo grup joformal
Derisa shton se përgjigjja institucionale duhet të jetë e dyfishtë: hetim penal dhe operativ nga Policia dhe AKI, poashtu edhe vlerësim strategjik
“Përgjigjja kërkon analizë shumëplanëshe dhe krahasim me kontekstin aktual:
a) Motiv politik i brendshëm
Ky veprim mund të jetë tentativë për të vonuar, penguar ose delegjitimuar procesin e formimit të institucioneve, veçanërisht nëse skenari politik aktual nuk është në favor të një grupi të caktuar politik apo interesave të jashtme që kanë investuar në polarizim institucional.
b) Skenar i jashtëm – komponent hibrid
Duhet të konsiderohet komponenti i operacioneve hibride, veçanërisht në kohë të ndjeshme politike.
Shërbimet inteligjente të huaja, si ato të Serbisë apo Rusisë, mund të kenë interes të minojnë stabilitetin institucional të Kosovës për të treguar se ajo është një “shtet i dështuar” në sytë e ndërkombëtarëve.
Ky kërcënim i orkestruar mund të jetë një testim i reagimit të autoriteteve të sigurisë – pra një “reconnaissance” operativ për të matur kohezionin dhe përgjigjen e agjencive tona.
c) Akt individual ose grup i pakoordinuar
Nuk përjashtohet mundësia që rasti të jetë edhe një kërcënim i rremë i bërë nga individë me prirje kriminale, psikologjike apo politike, por që përdoret në kohë të qëllimshme për të krijuar efekt maksimal.
Ky rast kërkon hetim të thelluar dhe trajtim të dyfishtë:
a. Penal dhe operacional nga Policia dhe AKI, për të zbuluar burimin dhe qëllimin.
b.Analitik-strategjik nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për të kuptuar nëse ky është pjesë e një sinjali më të gjerë për destabilizim.
Nuk përjashtohet që kjo të jetë një “psy-op” hibride e orkestruar për të penguar një riformatim të pushtetit, për të nxitur përçarje dhe për të justifikuar ndërhyrje politike të faktorëve të tretë”, – shpjegon eksperti i sigurisë.









