Sipas disa mediave lokale, kabineti izraelit i sigurisë do të mblidhet të shtunën në mbrëmje, pas përfundimit të Shabatit.
Izraeli po përgatit përgjigjen e tij pasi Hamasi tha se ishte gati të negocionte një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza, ku operacionet e ushtrisë izraelite lanë 32 të vdekur të shtunën, sipas Mbrojtjes Civile lokale.
Një zyrtar i qeverisë izraelite i tha AFP-së në mesditë se “nuk është marrë asnjë vendim në këtë fazë për këtë çështje”.
Sipas disa mediave lokale, kabineti izraelit i sigurisë do të mblidhet të shtunën në mbrëmje, pas përfundimit të Shabatit, pushimit javor hebre.
Lëvizja islamiste palestineze pohoi të premten në mbrëmje se ishte e përgatitur të “fillonte menjëherë” negociatat mbi një propozim armëpushimi të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të transmetuar përmes ndërmjetësimit të Katarit dhe Egjiptit.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se një marrëveshje mund të arrihet “javën e ardhshme”.
Ai tha se ishte “shumë” optimist, ndërsa theksoi se situata po ndryshonte “ditë pas dite”.
“Duhet t’i japim fund kësaj. Duhet të bëjmë diçka për Gazën”, këmbënguli Trump, të cilin kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do ta takojë të hënën në Washington.
Sipas një burimi palestinez pranë diskutimeve, propozimi amerikan përfshin një armëpushim 60-ditor gjatë të cilit Hamasi do të lironte gjysmën e pengjeve që janë ende gjallë, në këmbim të lirimit të palestinezëve të ndaluar nga Izraeli.
Nga 251 personat e rrëmbyer në ditën e parë të luftës së nisur më 7 tetor 2023 nga sulmi i lëvizjes islamiste palestineze në tokën izraelite, 49 ende mbahen në Gaza, nga të cilët 27 u shpallën të vdekur nga ushtria izraelite.
Në terren, ushtria izraelite zgjeroi së fundmi operacionet e saj ushtarake në Rripin e Gazës, i zhytur në një situatë kritike humanitare pothuajse 21 muaj pas fillimit të armiqësive.
Sipas Mahmoud Bassal, zëdhënës i Mbrojtjes Civile të Gazës, një organizatë e ndihmës së shpejtë, 32 persona janë vrarë atje që nga orët e para të ditës.
“Shpërthimi ishte i tmerrshëm, shumë tenda u dogjën, gratë dhe fëmijët u tmerruan”, tha Mohammed Khafaja, i cili tha se ai humbi xhaxhain e tij dhe disa kushërinj të tij në një sulm natën në Khan Younes, tha për AFP-në.
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, njoftoi gjithashtu se dy nga punonjësit e saj amerikanë ishin plagosur në një “sulm” kundër një prej qendrave të saj të shpërndarjes së ndihmave në jug të territorit, pa u kompromentuar prognoza e tyre jetësore.
“Sulmi i kryer, sipas informacionit fillestar, nga dy sulmues që hodhën dy granata drejt amerikanëve, ndodhi në fund të një shpërndarjeje (ushqimi) ndryshe të suksesshme”, tha GHF-ja.
Sulmi i 7 tetorit la 1 mijë e 219 të vdekur në anën izraelite, kryesisht civilë, sipas një llogaritjeje të AFP-së bazuar në të dhëna zyrtare. Të paktën 57 mijë e 338 palestinezë, kryesisht civilë, u vranë në fushatën hakmarrëse izraelite në Gaza, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e qeverisë së Hamasit, e cila konsiderohet e besueshme nga OKB-ja.








