Gazeta mbrëmë ka raportuar ekskluzivisht për një aksion i drejtuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, që ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të Naim Bazaj, rreth 54-vjeçar, i dyshuar për disa vepra penale të rënda, përfshirë “Detyrim”, “Prezantim i rremë si person zyrtar” dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Ndaj të dyshuarit ishin zhvilluar hetime intensive për disa javë, të cilat kulmuan më 04 korrik 2025, kur me asistimin e njësive të specializuara, ai u arrestua në flagrancë gjatë zhvillimit të veprës penale.
Derisa, avokati i tij, Naim Rudari, ka thënë se Naim Bazaj është liruar për në shtëpi.
“Naim Bazaj SHKON në shtëpi”, ka shkruar ai.
Gjatë kontrollit të banesës dhe objekteve përcjellëse, Policia i ka sekuestruar Bazajt një arsenal armësh dhe municioni, përfshirë: një armë e gjatë me dylbi, një tyte dhe 200 fishekë kalibër .22 Remington, 1 armë automatike me 15 fishekë dhe një karikator, 1 pushkë gjahu me dy tyta dhe 46 fishekë, 1 armë ajrore 4.5 mm (Made in Germany), 1 pistoletë Sig Sauer me një karikator dhe 29 fishekë, 1 pistoletë AG-9 me dy karikatorë dhe pajisje përcjellëse, 1 iPhone 14 Pro Max dhe 1 kontratë dhe dokumentacion i armës në emër të Fitim Bazaj.









