Gazeta ka raportuar korrikun e vitit të kaluar ku Gent Tigani dyshohej se kishte dhunuar vajzë në pyll.
Gazeta ka siguruar ekskluzivisht dokumentin zyrtar të Prokurorisë Themelore në Pejë, me të cilin zyrtarisht pushohen hetimet penale kundër Gent Tiganit, i cili më herët ishte arrestuar dhe ndodhej në paraburgim si i dyshuar për veprën penale të “Dhunimit” nga neni 227 paragrafi 4.2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në dokumentin me numër PP/I nr. 53/24, të datës 1 korrik 2025, Prokuroria bën të ditur se:
“Hetimet pushohen sepse nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri kishte për ta kryer këtë vepër penale.”
Sipas aktvendimit, hetimet kishin nisur më 13 korrik 2024, pas kallëzimit të bërë nga S. A. K e cila kishte raportuar se kishte pasur marrëdhënie seksuale me Gent Tiganin, e që më pas ishte cilësuar si vepër penale e dhunimit.
Pas një viti hetimesh dhe veprimesh hetimore, përfshirë ekzaminimin klinik, mjeko-ligjor dhe ADN-së, Prokuroria ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin penal ndaj të pandehurit.
Me këtë vendim, Gent Tigani shfajësohet nga akuza më e rëndë që kishte rënduar mbi të dhe rasti konsiderohet i mbyllur, përderisa nuk paraqiten fakte të reja.









