spot_img
Thursday, December 18, 2025
spot_img

Ari, diamantet, kobalti dhe nafta: Kush po i vjedh pasuritë e Afrikës?

Afrika, kontinenti më i pasur në botë për burime natyrore, zotëron 40% të rezervave botërore të arit, 30% të mineraleve, 12% të naftës dhe 8% të gazit natyror. Por, pas më shumë se një shekulli kolonializëm dhe 65 vite pas dekolonizimit, shumica e popullsisë – mbi 1.5 miliardë – jeton ende në varfëri ekstreme. Në këtë analizë, hedhim dritë mbi realitetin dramatik të katër shteteve më të pasura të Afrikës: Republika Demokratike e Kongos, Angola, Zimbabve dhe Nigeria.

Republika Demokratike e Kongos– Mbretëria e kobaltit e shkelur nga lufta dhe korrupsioni

Pavarësuar nga Belgjika më 1960, Kongoja nuk njohu kurrë qetësinë. Pas vrasjes së liderit Patrice Lumumba me ndihmën e CIA-s, pushtetin e mori diktatori Mobutu, i cili në 32 vite sundim vodhi miliarda dhe e shndërroi shtetin në pronë personale. Pas largimit të tij, një tjetër cikël i errët nisi nën familjen Kabila, që mbolli korrupsion dhe dhunë. Luftërat etnike dhe konflikti me Ruandën shkaktuan mbi 5 milionë të vdekur.

Edhe sot, në vitin 2025, shteti është i ndarë midis pushtetit formal në Kinshasa dhe milicive të armatosura që kontrollojnë zonat minerare në lindje. SHBA, pas dominimit kinez, po futet fuqishëm në garën për kontrollin e kobaltit, koltanit dhe bakrit, metale strategjike për teknologjinë globale. Megjithatë, Kongo mbetet një nga vendet më të varfra të planetit, me 75% të popullsisë që jeton me më pak se 2.15 dollarë në ditë.

Angola– Pasuria e naftës, peng i një dinastie kleptokrate

Pas pavarësisë nga Portugalia në vitin 1975, Angola u përfshi nga një luftë civile që zgjati 27 vjet. Pas fitores së MPLA-së, presidenti Dos Santos ndërtoi një regjim kleptokratik, ku nafta mbushi xhepat e elitës dhe kompanive offshore, por jo të popullit.

Projekti fantazmë i Kilamba-s, një qytet modern i financuar nga Kina, qëndroi bosh për vite të tëra. Kompania shtetërore Sonangol u kthye në një instrument korrupsioni. Në vitin 2016, Dos Santos caktoi vajzën e tij, Isabel, gruaja më e pasur e Afrikës, në krye të Sonangol, përpara se të largohej nga pushteti në 2017. Pasuesi i tij, João Lourenço, nisi një “luftë” kundër korrupsionit, por regjimi vazhdon me të njëjtën parti në pushtet prej 46 vitesh. Sot, pavarësisht fitimeve prej 33 miliardë dollarësh nga nafta (2023), 80% e karburanteve rafinuara importohen, ndërsa një e treta e popullsisë jeton në varfëri ekstreme.

Zimbabve– Nga shpresa e çlirimit tek makthi i një autokracie familjare

Pavarësuar në vitin 1980 nga sundimi racor i britanikëve, Zimbabve u kthye shpejt në një diktaturë personale nën Robert Mugabe. Fillimisht hero i çlirimit, më vonë u bë një tiran brutal, që shkatërroi ekonominë me eksproprimin e tokave dhe kapjen e burimeve minerare.

Në vitet 2000, bashkë me gruan e tij famëkeqe Grace, kontrolluan tregtinë e paligjshme të diamanteve. Inflacioni arriti shifra absurde, shëndetësia dhe arsimi u shembën, ndërsa popullsia u zhyt në mjerim. Në vitin 2017, pas 37 vitesh në pushtet, Mugabe u rrëzua nga ushtarakët dhe u zëvendësua nga Emmerson Mnangagwa, i njohur si “krokodili”. Por regjimi mbetet represiv dhe ekonomia e zhytur në krizë, me një borxh publik të pafalshëm dhe inflacion 85%.

Nigeria– Gjiganti me këmbë balte që eksporton naftë dhe importon varfëri

Shteti më i populluar i Afrikës, me 237 milionë banorë, Nigeria ka rezerva të jashtëzakonshme të naftës dhe gazit. Por historia e saj është e mbushur me grusht-shtete, luftëra civile dhe një sistem të thellë korrupsioni. Politikanë dhe ushtarakë pasurohen përmes kompanive perëndimore të naftës, ndërsa populli përballet me mungesë energjie, papunësi dhe dhunë.

Në rajonin e Deltës së Nigerit, ku operojnë gjigantët si Shell, Chevron dhe ENI, grupet e armatosura, të lidhura me politikanë lokalë, kontrollojnë tregtinë ilegale të naftës dhe rrëmbimet. Industria tekstile dikur punësonte qindra mijëra vetë, sot kanë mbetur vetëm tri fabrika. Importet kineze dhe mungesa e energjisë e kanë shkatërruar sektorin. 40% e popullsisë jeton në varfëri, ndërsa çdo vit 3.5 milionë të rinj hyjnë në tregun e punës pa shpresë – dhe me synimin për të emigruar drejt Evropës. 

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit