Nga vërtetimi i punësimit te dëshmia për kryerjen e shërbimit ushtarak, bashkë me certifikatën familjare, kartën e identitetit, atë të shëndetit, dokumentacionin bankar apo kojen e kodit fiskal…
Janë këto disa nga dokumentet kryesore që qytetarët shqiptarë dhe ata italianë duhet të paraqesin për të përfituar nga njohja e ndërsjellë të pensioneve.
“Shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali dhe ata italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri mund të paraqiten në Institutin e Sigurimeve Shoqërore ose Istituto Nazionale della Previdenza Sociale (INPS) për të kërkuar njohjen e pensioneve. në rastin e Shqipërisë, aplikimi kryhet drejtpërdrejt në portalin qeveritar E-Albania”, thotë për A2 CNN Olta Mnjani, zëvendësministre e MEKI.
Ndërsa ky është formulari i quajtur “Formular aplikimi për pension të huaj” i cili shkarkohet nga faqja zyrtare e Institutit e Sigurimeve Shoqërore.
Dokumentet që i bashkëlidhen kërkesës për përfitim nuk kanë nevojë të përkthehen, noterizohen apo të firmosen nga zyrat konsullore. Ato do të merren si të mirëqena nga zyra pritëse dhe më pas verifikohen nga zyra ndërlidhëse e palës tjetër.









