Në kuadër të takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt në Shkup, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Kurti përgëzoi Mickoskin për organizimin e suksesshëm të samitit dhe e falënderoi për mikpritjen, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Dy kryeministrat diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mbledhjet e përbashkëta të qeverive, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit, me theks të veçantë në funksionalizimin e dy pikave të përbashkëta kufitare,” thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kurti dhe Mickoski diskutuan gjithashtu për procesin e integrimit evropian dhe për rëndësinë e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian. Ky plan pritet të ndihmojë në përshpejtimin e reformave dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, një qëllim i përbashkët i të dy vendeve.










