Juristja e medias, Flutura Kusari, ka njoftuar se kallëzimi penal që kishte ngritur ndaj Mentor Llugaliut është hedhur poshtë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Në një postim në rrjetet sociale, Kusari ka sqaruar se Llugaliu ka arsyetuar veprimin e tij duke thënë se 101 postimet ku e përmend emrin “Mickoja” ishin shprehje humoristike dhe se nuk kishte pasur fjalën për të.
“Po sapo u njoftova nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që kallëzimi penal ndaj mbështetësit të VV-së, Mentor Llugaliu, është hedhur poshtë. Në deklaratën e tij pranë organeve të ndjekjes, Llugaliu ka thënë që në 101 postimet ku e përmend ‘Mickojen’ nuk ka pasur fjalën për mua dhe se ka bërë humor,” ka shkruar Kusari.
“Prokuroria Themelore e Prishtinës ka gjetur që nuk ka ngacmim, ndër të tjera sepse:
Llugaliu nuk më ka kontaktuar direkt (nuk më ka ngacmuar me kontakt direkt).
101 postimet e Llugaliut janë kritikë për çështje profesionale ndaj meje dhe nuk janë kërcënim fizik apo frikësim i qëllimshëm.
Statusat janë fyerje dhe shpifje dhe duhet të ndiqet procedura civile.”, shkroi ajo.
Kusari ka shtuar se ka hezituar të ushtrojë kallëzim penal për shkak se vepra penale e ngacmimit është një dispozitë ligjore e re, dhe se hezitimi ka qenë i bazuar.
“Kam të drejtë të bëj ankesë në Prokurorinë e Apelit,” përfundon Kusari në postimin e saj.









