Gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit sot për një çerdhe në lagjen Bardhosh të Prishtinës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë pasur një përplasje me tone të ashpra para mediave, duke reflektuar tensionet në rritje mes pushtetit qendror dhe atij lokal.
Rama e nisi përplasjen me një thirrje publike drejtuar Kurtit, duke i kërkuar zhbllokimin e buxhetit të Prishtinës, që sipas tij ka lënë pezull projekte madhore. Ai i kërkoi Kurtit një takim, duke theksuar se nuk janë takuar që katër vite.
E këtij të fundit i ka reaguar edhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se për shkak se opozita po e bllokon konstituimin e Kuvendit, sipas tij ka mbetur pezull edhe ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit, që do të përfshinte buxhetet e tri komunave të cilat ishin vonuar në miratimin e buxheteve komunale sipas afateve ligjore.
Reagimi i plotë:
Për shkak se opozita po e bllokon konstituimin e Kuvendit, ka mbetur pezull edhe ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit, që do të përfshinte buxhetet e tri komunave të cilat ishin vonuar në miratimin e buxheteve komunale sipas afateve ligjore – pra buxhetet komunale janë miratuar në asambletë përkatëse tek pas votimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvend dhe kësisoj ato buxhete ende nuk janë në fuqi.
Njëra ndër këto komuna që është vonuar me miratim të buxhetit është edhe Prishtina.
Pra kur Përparim Rama kërkon zhbllokimin e buxhetit komunal, adresa e duhur për ankesë është pikërisht partia e tij LDK, e cila duke mos votuar për konstituimin e Kuvendit, po e vonon edhe plotësimin e Ligjit të Buxhetit, për ta përfshirë edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës si pjesë përbërëse.
Megjithatë, mos-hyrja në fuqi e Buxhetit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka ndalur Përparim Ramën dhe LDK-në që të nënshkruajnë kontrata milionëshe e të shpallin tenderë milionësh pa kurrfarë mbulese në stilin “aksham-pazar”, duke shkelur kështu Ligjin për Financa Publike dhe atë të Prokurimit Publik.
Për këto shkelje, do të duhej qëmoti të ishte aktivizuar prokuroria, por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre.









