Mbrëmjen e së shtunës, më 28 qershor, qiejt mbi Italinë veriperëndimore u bllokuan papritur për shkak të një problemi teknik në qendrën e kontrollit ajror në Milano, duke detyruar anulimin, vonimin apo rikthimin në aeroportin e nisjes të dhjetëra fluturimeve që lidhnin zonat e Lombardisë, Piemonte-s dhe Ligurias.
Sipas burimeve për Corriere della Sera, problemi buron nga një defekt në rrjetin e transmetimit të të dhënave të qendrës së menaxhimit të trafikut ajror, të administruar nga agjencia italiane ENAV. Dështimi u raportua për herë të parë rreth orës 20:20, por pas 20 minutash u vendos vendosja e masës “rateo zero” për të gjithë zonën, që do të thotë ndalim i plotë i çdo lëvizjeje ajrore në rajon.
ENAV konfirmoi zyrtarisht përmes një deklarate se ndalimi i përkohshëm i nisjeve dhe uljeve në aeroportet e përfshira është marrë për të garantuar standardet maksimale të sigurisë operacionale. Teknikët po punojnë intensivisht për të kuptuar shkakun dhe për të rikthyer funksionimin e plotë sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas një Notam-i (njoftimi për navigimin ajror), ndalesa mund të zgjasë deri në orën 23:00, por kjo varet nga kompleksiteti i defektit.
Fluturimet që janë ndikuar përfshijnë ato në aeroportet e Milanos (Malpensa dhe Linate), Bergamos, Torinos dhe Xhenovës. Deri tani raportohen të prekur të paktën 322 fluturime, me një vonesë mesatare prej 163 minutash, shifër që mund të ndryshojë në vijim të mbrëmjes.
Agjencia Eurocontrol, që mbikëqyr qiejt e Evropës, i ka njoftuar kompanitë ajrore për një “dështim të radarit” dhe u ka kërkuar aeroporteve përreth të marrin përsipër fluturime që normalisht do të kalonin nëpër hapësirën ajrore të veriut të Italisë.
Defekti lidhet me rrjetin E-Net, një sistem kritik që lidh qendrat e kontrollit, aeroportet, qendrat e radarëve ndërkombëtarë dhe që transmeton informacione esenciale si të dhënat e radarëve, buletinet meteorologjike dhe mesazhet për pilotët.









